Lajmi për zgjedhjet në Turqi ka pushtuar kryetitujt e mediave ndërkombëtare. Partia e Presidentit Rexhep Taip Erdogan, jo vetëm që nuk fitoi shumicën që i duhej atij për të bërë ndryshime kushtetuese, por është përballë sfidës për të formuar qeverinë pasi humbi shumicën për herë të parë në 13 vite.
Partia e tij mori 41 për qind të votave, një rënie e fortë në krahasim me vitin 2011. Guardian shkruan se vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Një tjetër lajm nga këto zgjedhje ishte që partia pro-kurde HDP kaloi pragun e 10 përqind, duke siguruar vende në parlament për herë të parë. “Është një natë karnavalesh. Ne nuk i besojmë më AKP-së,” tha një 47- vjeçar për AFP-në.
Lira turke ra ndjeshëm në bursë të hënën, ndërsa aksionet e Bursës së Stambollit u ulën me 8 përqind mëngjesin pas zgjedhjeve.
Sipas BBC, rezultati është një goditje e rëndë për presidentin Erdogan dhe planet e tij për të fuqizuar pushtetin e kreut të shtetit.
Ai erdhi në pushtet në vitin 2003 si kryeministër dhe kërkonte një shumicë prej dy të tretash për të kthyer Turqinë në një republikë presidenciale.
Edhe rrjetet sociale në Shqipëri duket se kanë reaguar pozitivisht pas lajmit se Erdogan humbi shumicën. Disa janë tallur me sondazhet, që parashikonin tjetër rezultat për Erdogan, por kanë dështuar, njësoj si në rastin e Britanisë.
Erdogan ishte para disa ditësh në Shqipëri dhe vizita e tij shkaktoi një valë reagimesh në Shqipëri dhe Turqi. /Telegrafi/