Nga Lirim Mehmetaj
Qeveria e Albin Kurtit e ka jashtëzakonisht të rëndësishme ta ruajë pozicionin moral në situata.
S’ka lidhje cila është e vërteta e fakteve për ta, por si po perceptohet në publik.
Kaq ju duhet.
Ata e duan shumë kapitalin moral në çdo ndodhi, sepse ashtu janë mësuar të fitojnë dhe s’dinë rrugë tjetër.
Edhe arsyeja pse Albulena Haxhiu provoi pas vrasjes së Faton Hajrizit ta lidhë arratisjen e tij dhe vetë atë me Serbinë, është pikërisht për faktin se askush deri sot nuk i ka gërryer moralisht më shumë se Faton Hajrizi.
Qeveria e Kosovës, që me gogolin e Serbisë i fiton zgjedhjet, u gjend në befasi kur e pa vetën me deklarata të njëjta për Fatonin si Ivica Daçiç-i.
Daçiç e quante kriminel, Besnik Bislimi, Albulena Haxhiu e krejt Vetëvendosja po ashtu.
Empatia që ka treguar publiku me figurën jo të zakonshme të Fatonit, historinë e tij të dhimbshme, heroizmat e tij të çakorduar në folklor dhe e kombinuar kjo me përqeshjen për ministrat e Kurtit nga ana e tij, e bënë atë kundërshtar të rrezikshëm të Qeverisë në asetin kryesor të tyre: pozicioni moral.
Prandaj, edhe Haxhiu po provon tash të fabrikojë të dhëna dhe të bëjë ndërlidhje të ikjes së tij me ndihmë të Serbisë. Po duan ta rikuperojnë pozicionin e fituar me aq mund: Kurti në njërën anë dhe ata që janë me Serbinë në anën tjetër.
Por, edhe ky rrëfim është problematik, sepse Faton Hajrizin Serbia nuk e strehoi, por e vrau.
Njëjtë, Faton Hajrizi në Serbi nuk u strehua, por sulmoi.
Haxhiu, si më e paskrupullta nga të paskrupulltit e qeverisë e mori stafetën e para, me rrezikun e kostos së madhe.
Por, nëse Serbia e paska ndihmuar Faton Hajrizin të dalë nga burgu, përse nuk na e thatë para se ky të vritej? Përse nuk na e thatë para se ta shihnit se publiku po rreshtohej me dhimbje krah historisë së tij? Përse fillimisht na thatë që këto as arratisje s’janë po largime të zakonshme që kanë ndodhur gjithmonë?
Në ditët në vazhdim do të shohim shumë gjysmë të vërteta tek lëshohen nga institucionet e kontrolluara nga pushteti.
Mbani sytë hapur e rrini mendje kthjellët, sepse do provojnë të krijojnë një spin në këtë situatë me patjetër.
Ata e dinë, askush e asgjë s’i ka nxjerr kaq lakuriq si Faton Hajrizi, përkundër se me shumë gjasë ai s’ishte qëllimi i tij.