Nga Christina Griessler – “Geneva Graduate Institute” Evropa e mori emrin e saj nga grekët e lashtë, që i referoheshin në atë kohë një territori që shtrihet në veri nga Peloponezi deri në pjesën kontinentale. Pra atë që ne sot e njohim si Ballkan. Sipas këtij këndvështrimi, rajoni i Ballkanit përbën qendrën e kontinentit evropian.
Vendndodhja gjeografike e vendeve të Ballkanit brenda kontinentit evropian është fikse, por marrëdhënia e vendeve ballkanike me Bashkimin Evropian është shumë komplekse.
Disa vende të rajonit – Kroacia, Bullgaria, Greqia, Rumania dhe Sllovenia – janë pjesë e unionit, ndërsa të tjerat janë përfshirë në një proces të gjatë me objektiv hyrjen në Klubin Evropian.
Neni 49 i Traktatit të Bashkimit Evropian, thekson se “çdo shtet evropian që respekton vlerat e unionit dhe është i përkushtuar për t’i promovuar ato, mund të aplikojë për t’u bërë anëtar”. Por një vështrim i shpejtë në hartën e Evropës na tregon se përveç 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, të tjerët si Gjeorgjia, Ukraina, Moldavia, Bjellorusia dhe Rusia, nuk përputhen dhe aq me parakushtin territorial.
Megjithatë, shtetet evropiane duhet të përmbushin kushtet politike dhe të jenë demokraci të qëndrueshme. Për më tepër, siç po e shohim aktualisht, një zgjerim i mëtejshëm drejt pjesëve lindore të Evropës, do të krijojë tensione të mëtejshme me Rusinë.Vendet e Ballkanit Perëndimor i përmbushin kriteret gjeografike për anëtarësim në BE, dhe janë të angazhuara të plotësojnë kushtet për të drejtat themelore, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Por pse duhet të integrohet sa më shpejt Ballkanit Perëndimor në BE?
Një vështrim mbi hartë na e jep përgjigjen. Këto vende janë të rrethuara nga vende të tjera anëtare të BE-së. Të shkosh në Greqi nga Evropa Qendrore do të thotë të kalosh nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor. Sapo Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e BE-së, Bullgaria, Rumania dhe Greqia do të humbnin një kufi të jashtëm të BE-së, dhe do të fitonin fqinjë të rinj të BE-së.Do të lehtësoheshin pengesat e bashkëpunimit ndërkufitar, transportit dhe kontaktit mes njerëzve. Kur diskutonin anëtarësimin në union, Komisioni i BE-së ka filluar të marrë në konsideratë faktorët gjeopolitikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Për shkak të vendndodhjes së rajonit, BE-ja ka nevojë për qasje në infrastrukturën e Ballkanit Perëndimor, që të përmirësojë ndërlidhjen e tyre në fushat e transportit, energjisë dhe telekomunikacionit. Prandaj, në kuadër të Komunitetit të Transportit, që u themelua në vitin 2017 dhe përbëhet nga anëtarët e BE-së dhe 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, BE-ja po siguron shumë fonde për projekte që lehtësojnë integrimin e infrastrukturës së Ballkanit Perëndimor në BE.
Nga ana tjetër, vendet e Ballkanit Perëndimor po miratojnë rregullat dhe rregulloret e BE-së në fushën e transportit. BE-ja e ka pranuar se vendet e Ballkanit Perëndimor janë fqinjët e tyre, dhe se meqenëse kufijtë janë artificialë, tejkalimi i tyre është një objektiv.
BE-ja nuk mund ta shohë veten si një njësi të izoluar, që është në gjendje të kujdeset për veten e saj. Ky fakt bëhet veçanërisht i dukshëm në lidhje me çështjet e sigurisë. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në fillim të viteve 1990, përvoja e luftës në kontinent ishte tronditëse për Evropën.
Në atë kohë Evropa, nuk ishte e përgatitur për t’u marrë në mënyrën e duhur me këtë çështje. Ekzistonte frika se luftërat mund të përhapeshin në vendet fqinje, duke krijuar një ndjenjë pasigurie. Që herët, KE dhe më vonë BE-ja kërkuan që vendet në rajon të krijojnë një dialog politik midis tyre dhe të bashkëpunojnë për çështje specifike për të rivendosur besimin e humbur.
Për të nxitur stabilitetin, vendeve të ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë, iu premtua se do të përfshiheshin në familjen evropiane. Tani me vonesën e zgjerimit të BE-së, dhe paraqitjen në rajon të aktorëve të tjerë të huaj, siguria ka qenë subjekt i vëmendjes së përtërirë nga ana e Brukselit.
Kjo u pa me fluksin e madh të emigrantëve në vitin 2015, që kërkoi nga BE-ja të bashkëpunonte ngushtë me vendet në kufirin e saj jugor për të menaxhuar fluksin e njerëzve që shkonin drejt Evropës Qendrore dhe Perëndimore. Pra u bë një detyrë e jo-anëtarëve të BE-së që të mbyllnin qasjen në “fortesën” Evropë në emër të BE-së.
Bashkimi Evropian është ende partneri më i madh tregtar i Ballkanit Perëndimor. Edhe pse vendet e Ballkanit Perëndimor formojnë një grupim të vogël, me struktura të fragmentuara ekonomike, tregje të vogla dhe një fuqi blerëse në përgjithësi të ulët, disa anëtarë të BE-së kanë interes të rrisin investimet e tyre dhe të zgjerojnë mundësitë e biznesit në rajon. Ndërlidhja ekonomike e vendeve evropiane në të gjithë kontinentin evropian, është e dukshme. Megjithatë për shkak të madhësisë së tij, tregu i BE-së i tërheq më pranë vetes edhe ekonomitë e tjera më të vogla, madje duke i vendosur ato në një gjendje varësie. Për të qenë ekonomikisht të qëndrueshme, ekonomitë duhet të krijojnë marrëdhënie tregtare me BE-në. Vendet në fqinjësi të BE-së ose kanë negociuar pasjen e një qasjeje dypalëshe në tregjet e BE-së, ose po përpiqen të përmbushin kriteret për anëtarësimin në BE për të qenë në gjendje të gëzojnë përfitimet e saj. Idetë për një integrim të pjesshëm të ekonomive në tregun e BE-së, tregojnë edhe një herë se sa vendet, veçanërisht ato fqinje, janë tashmë të ndërlidhura dhe të lidhura ekonomikisht me njëra-tjetrën.
Njerëzit janë një tjetër arsye, se përse ka kuptim zgjerimi i BE-së në këtë rajon. Sipas të dhënave të vitit 2021, popullsia totale e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor arrin në rreth17.7 milionë njerëz. Pranimi i vendeve në një union të përbashkët ka kuptim, kur kihet parasysh fakti se shumë njerëz nga Ballkani Perëndimor jetojnë tashmë në vendet e BE-së dhe janë thelbësorë për ekonomitë e vendeve pritëse.
Nga perandoritë që ndanë Evropën, autokracitë, demokracitë, gjenocidet, shtypjet, vrasjet, dhe luftërat, Evropa ka përjetuar gjithçka. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur Gjermania dhe Franca u bashkuan për të ndërtuar një marrëdhënie miqësore, u mboll fara e një Bashkimi Evropian që synonte të kapërcejë mizoritë e kaluara dhe të vendosë mirëqenien e popullit të tij në qendër.
Nëse besojmë ende në idenë kryesore të BE-së, nuk duhet vënë në dyshim, përkundrazi duhet inkurajuar pranimi i të gjitha vendeve evropiane në union. BE-ja nuk duhet të krijojë barriera apo pengesa të reja, por duhet të mbështesë tejkalimin e tyre. Edhe pse për momentin mund të ketë disa probleme praktike me zgjerimin e BE-së, është e rëndësishme të mos humbasim tablonë më të gjerë dhe të punojmë drejt arritjes së përmbushjes së vizioneve të BE-së.
Marrë me shkurtimeShënim: Christina Griessler, studiuese në Rrjetin për Komunikim Politik (netPOL) dhe drejtuese e Politikave Krahasuese me fokus Evropën Qendrore dhe Lindore në BE, Universiteti Andrassy në Budapest, Hungari.