PSD: Arrestimi i Dardan Molliqajt është i paligjshëm

E publikuar: 16/06/2022 18:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Socialdemokrate ka reaguar pas arrestimit të kreut të kësaj partie, duke e quajtur këtë veprim të paligjshëm.

Në reagimin e tyre gjithashtu thuhet se pushtetit po i pengon protesta e veteranëve dhe se nuk ka arsyetim tjetër për mllefin e zellin për dhunë që e përdorën sot, përcjell Klankosova.tv.

‘Policia e Kosovës arreston me dhunë, grushte e me sharje aktivistët e PSD-së menjëherë pas protestës së veteranëve të UÇK-së. Pushtetit po i pengon protesta e veteranëve. Nuk ka arsyetim tjetër për mllefin e zellin për dhunë që e përdorën sot”.

“Aparatura shtetërore është vënë në funksion të përndjekjes së opozitës. Arrestimi i Dardan Molliqajt është i paligjshëm sepse ka shkelë procedurat e kodit penal në fuqi. Arrestimi i aktivistëve të tjerë pos që nuk ka arsyetim, është bërë dhunshëm, me rrahje, kërcënime e sharje nga policia”, thuhet në reagim.

Tutje, aty thuhet se PSD-ja kërkon lirimin e menjëhershëm të Dardan Molliqajt dhe aktivistëve Frashër Krasniqi, Zgjim Hyseni, Gëzon Kastrati dhe Korab Korça.