Për gati pesë muaj, ai asnjëherë nuk doli në shëtitore. Kjo pasi që qysh në ditët e para kur u burgos nga autoritetet serbe, Hazir Haziri u provokua nga serbët e burgosur. Ai rrëfen për përjetimet e tij gjatë këtyre muajve në burgun e Serbisë, si i akuzuar për krime të pretenduara të luftës.
Për KosovaPress, 77-vjeçari i cili u lirua mbrëmë, tregon edhe se si për pesë ditë mbajti grevë urie për të shprehur pakënaqësitë e tij.
Përgjatë tërë jetës së tij, Haziri thotë se asnjëherë nuk ka përjetuar sfida të tilla. Tregon edhe se si u ndje kur u prangos në kufirin në Merdarë.
“Po me thënë të drejtën nuk jam marrë me këso lloj sfide asnjëherë, nuk kam qenë i arrestuar asnjëherë, kur më kanë arrestuar, më kanë ngjitur prangat, më ka ardh shumë rëndë. Më kanë dërguar në Beograd, në gjyq hetues, një natë me kanë mbajt pyetje-përgjigje të llojllojshme, palidhje, dikur iu thash a po kaloni në temë apo ne kështu nuk jam top, herë në atë anë e herë në këtë anë. Tha ti je i akuzur për krime lufte ndaj popullatës serbe. Edhe ajo më erdhi rëndë, se përgjegjësia më e rëndë në aktakuzë është ajo. Por, kam qëndruar më ka mbajtur të fortë fakti që kam qenë për krime lufte ndaj serbëve, jo ndaj shqiptarëve. Më ka mbajtur të fortë dhe kam qëndruar stoikisht, me zor kur më ka ra në mend se shokët e mijë të gjeneratës, vitet e ’60-ta, në mënyra të ndryshme, janë dënur 3 vjet, 5 vjet, 10 vjet, 16, 20 vjet, kanë kaluar nëpër këtë burgje të rënda, me mundime shtazarake, edhe unë kam qëndruar mirë”, thotë ai.
Në ditët e para kur u burgos në shtator, ai tregon se si u provokua nga serbët e burgosur dhe që ajo ditë asnjëherë nuk doli në shëtitore.
“Një ditë jam dalë në shëtitje, më kanë provokuar aty e kam pas problem, më nuk jam dalë pesë muaj kurrë. Se ka pas aty të luftës që ka pas, që provokonin … Veç një herë. Krye dy, tri dite edhe më kurrë. Tash dola në terrasë, në vend më humbi. Nuk jam dalë, veç brenda kam qëndruar”, shton ai.
Ndër tjera, rrëfen edhe se si pesë ditë refuzoi të ushqehet, për të shprehur pakënaqësitë për padrejtësinë qe po përjetonte nga shteti serb.
Përgjatë këtyre muajve të gjatë, ai mendjen e kishte te familjarët e tij në Podujevë.
Ai për KosovaPress, tregon se më kishte kontakt gjatë kësaj kohe.
Ai u bën thirrje shqiptarëve që të kenë kujdes dhe të mos frekuentojnë pikë kalimet kufitare me Serbinë.
Hazir Haziri është liruar mbrëmë nga autoritet e Serbisë, pas mbajtjes në paraburgim që nga data 5 shtator të vitit të kaluar, i cili u arrestua në pikën kufitare në Merdarë.

















