Analistët politikë thonë se Shqipëria dhe Serbia nuk mund të nënshkruajnë protokolle bashkëpunimi për projektet infrastrukturore që kalojnë nëpër territorin e Kosovës pa e marrë pëlqimin e kësaj të fundit.
Sipas tyre, një veprim i tillë është i pazakontë, qoftë nga prizmi i marrëdhënieve ndërshqiptare, qoftë nga ai i marrëdhënieve ndërkombëtare, shkruan “Zëri”.
Nënshkrimi i protokollit të bashkëpunimit mes përfaqësuesve të Qeverisë së Shqipërisë dhe Serbisë për ndërtimin e autostradave dhe linjave hekurudhore që do të kalojnë nëpërmjet territorit të Kosovës pa marrë pëlqimin e kësaj të fundit vlerësohet si i pakuptimtë dhe i pazakontë.
Përkatësisht projektet infrastrukturore, që përfshijnë tri shtete: Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë, para një viti janë nënshkruar vetëm nga zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë, Brunilda Paskali, dhe sekretari i shtetit në Ministrinë e Tregtisë së Serbisë, Stevan Nikçeviq, me ç’rast është anashkaluar përfaqësuesi i Qeverisë së Kosovës. /Zëri/