Protestuesit i japin ultimatum Bajramit deri të mërkuren për plotësim të kërkesave

E publikuar: 22/10/2015 11:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aktivistë të shoqërisë civile, studentë, gazetarë e qytetarë ishin mbledhur para Ministrisë së Arsimit në Prishtinë, ku protestuan ndaj veprimit të Këshillit Drejtues të Universtitetit të Prishtinës, që shkarkoi rektorin Ramadan Zejnullahu.

Ky shkarkim u shfuqizua nga ministri Arsim Bajrami por që protesta vazhdoi me kërkesat tjera të protestuesve.

Aktivisti Rron Gjinovci, në një fjalim para masës përmendi ato kërkesa por paraprakisht tregoi për shfuqizimin e vendimit për shkarkim të rektorit Zejnullahu, transmeton Koha.net.

“Shkarkimin e Këshillit Drejtues dhe emërimin e një organi të përkohshëm, ku gjysma janë ekspertë ndërkombëtarë, shkarkimin e dekanëve dhe emërimin e ushtruesve të detyrës, ndryshimin e Ligjit për Arsimin e Lartë që të pamundësohet ndikimi partiak në Universitete Publike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të pandikuara politikisht në UP deri në maj të vitit 2016”, foli Gjinovci, duke shtuar se nëse deri të mërkuren ministri Bajrami nuk i plotëson kërkesat, do të protestohet sërish.

Në protestë u panë edhe gazetari Adriatik Kelmendi, drejtoresha e grupit “Koha”, Flaka Surroi, analisti Lumir Abdixhiku dhe shumë të tjerë.