Po vazhdon protesta e ndërtimtarëve. Ata kanë shkuar në oborrin e Komunës së Prishtinës dhe kanë derdhur beton në shenjë pakënaqësie dhe kundër diskriminimit të punës tash e 16 muaj. Brahim Selimaj, kryetar i ndërmarrjeve ndërtuese ka kërkuar shkarkimin e drejtorit të urbanizmit Liburn Aliut dhe zyrtarit në drejtorinë e urbanizmit Ergyn Haradinaj.
Protesta e ndërtimtarëve nis para Komunës së Prishtinës (Video)
Kompanitë e ndërtimit pasi kanë marshuar nga rrethi i spitalit me mjetet dhe njerëzit e tyre, kanë ndaluar para objektit të Komunës së Prishtinës ku po protestojnë.
Ata po kërkojnë që të zhbllokohen lejet e punës, ndërsa Komuna e Prishtinës thotë se ka shumë ndërtime pa leje dhe tejkalim të lejeve të ndërtimit në kryeqytet.
Kolona e mjeteve të ndërtimtarëve, sipas njërit prej tyre që nuk deshi të flasë me emër për KALLXO.com ishte e gjatë 7 kilometra.
Ndërtimtarët para objektit të Komunës së Prishtinës po mbajnë parullat “Respekto Ligjin”, “Shpend Nxjerr të Vërtetën nga Faktet”, “Liburn Ik”, “Duam Punë” dhe “Pa Ndërtim nuk ka Zhvillim”.
Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës Miranda Mullafazlia ende nuk i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com për një deklaratë të komunës rreth protestës së ndërtimtarëve.