Protestueset: Vetëm 13.7 për qind të grave janë të punësuara në tregun e punës në Kosovë

E publikuar: 08/03/2020 14:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dhjetëra gra dhe burra mesditën e dielës kanë marshuar rrugëve të Prishtinës.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas me parulla të ndryshme iu kërkua qeverisë së Kosovës që përmes politikave sociale të fuqizojnë barazinë gjinore, dhe të mos diskriminohen e ngacmohen seksualisht gratë.

Për të gjitha këto thanë se do të kërkojnë llogaridhënie para ekzekutivit.

Me moton, “Marshojmë s’festojmë” grupi i grave dhe burrave kanë nisur marshin nga sheshi “Zahir Pajaziti” fillimisht drejt policisë së Kosovës, ku u kërkua drejtësi për gjitha gratë e vrara.

Ato kanë vazhduar tek institucioni i “Avokatit të Popullit” për të kërkuar të drejta të barabarta. E më pas për t’u stacionuar para qeverisë për kërkuar fuqizim dhe mbështetje të grave.

Përfaqësuesja e këtij marshi, Xhejrane Loka, derisa i paraqiti kërkesat e tyre tha se gjithë neglizhimi i grave po vjen për shkak të politikave të dobëta institucionale.

“Vetëm 13.7 për qind të grave janë të punësuara në tregun e punës në Kosovë. Edhe kur janë të punësuara, gratë vazhdojnë të mbajnë pozita më të ulëta. Paguhen më pak për punë të njëjta, krahasuar me burrat. Ngacmohen seksualisht, diskriminohen dhe përjashtohen nga puna për shkak të politikave të dobëta institucionale që nuk i mbrojmë të drejtat fondamentale të grave”, tha ajo.

Marshuesja Loka tha se për të gjitha kërkesat do të kërkojnë llogaridhënie para qeverisë së re.

Në mesin e marshuesve kishte edhe përfaqësues të institucioneve, shoqërisë civile dhe ambasadave të akredituara në Prishtinë.