Protestojnë serbët kundër Listës Serbe: Ata i marrin nga dy rroga e ne asnjë

E publikuar: 06/08/2021 20:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rreth 20 qytetarë serbë të pakënaqur nga fshati Vërbovc në komunën e Kllokotit, ka tre ditë që po protestojnë për shkak papunësisë para institucionit komunal që funksionin si sistem paralel ilegal i Serbisë.

Sipas rregullimit kosovar fshati Vërbovc gjendet brenda komunës Kllokot që ka shumicë banorë me etni serbe.

Sipas banorëve të Vërbovcit, në institucionet kosovare dhe ato serbe punësohen njerëz që jetojnë në Serbi e jo në Kosovë. Të njëjtit nuk vijnë në punë megjithëse marrin paga të mëdha, madje ka prej tyre që marrin nga dy paga derisa “për popullin e thjeshtë nuk ka punësim”, raportoi redaksia serbe e Radio Evropa e Lirë.

“Marrin paga të dyfishta, e unë s‘kam asnjë. Ka 20 vite që askush nuk i ndihmon këtij populli”, tha banori Dejan Rakic, njëri prej organizatorëve të protestës.

Dejan Rakic, dhe protestuesja tjetër serbe Lidija Cvetkovic, i ka thënë REL se serbët e Kosovës frikësohen dhe se vazhdimisht janë të kërcënuar se “do të mbesin pa asgjë nëse protestojnë për diçka”.

“Sikur të mos mblidhja njerëzit të dalin, askush s’do të ishte këtu. Së pari ishim disa, e ja tani dita e tretë…njerëzit frikësohen pasi disa marrin ndihma sociale e frikësohen se do të humbin edhe atë” tha Cvetkovic.

Njejtë pretendoi edhe Dejan Rakic.

“Në fshatin tim janë mbi 200 njerëz. Unë e di që duhet të dalin në protestë, por ata nuk guxojnë të dalin me qëndrim, ta thonë mendimin e tyre. Duhet të heshtin për shkak të 15 mijë dinarë social (rreth 120 euro)”.