(I plotesuar) Grupit të qytetarëve #Protestoj, të cilët kanë dalë për të protestuar kundër krimit dhe korrupsionit pas publikimit të përgjimeve të krerëve të lartë të PDK-së, i janë bashkuar edhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në këtë protestë është deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi, Shqipe Pantina dhe Fisinik Ismaili.
Protestuesit janë nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar drejt sheshit “Skënderbeu”. Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve që ti bashkohen kësaj proteste.
…
Ka nisur protesta e qytetarëve, të cilët për të pestën herë radhazi dalin për të protestuar kundër aferës së përgjimeve, të njohur si “Pronto II”.
Grupi i qytetarëve “#Protestoj” nisi protestën e radhës në sheshin Zahir Pajaziti kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, veçmas pas publikimit të përgjimeve telefonike midis udhëheqësve të lartë të PDK-së, ku protagonist kryesor është ish shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci, i cili dha dorëheqjen ditë më parë nga ky funksion.
Fillimisht, numri i protestuesve është i vogël, derisa ata kanë filluar që t’i thërrasin qytetarët e vendit që t’i bashkohen kësaj proteste./telegrafi/

















