Propozohet heqja e flamurit të Kosovës në samitin e Sofjes për të bindur Spanjën të marrë pjesë

E publikuar: 17/03/2018 18:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Spanja, nën kryesimin e Mariano Rajoy, nuk do të marrë pjesë në asnjë samit evropian apo në ndonjë samit tjetër ku Kosova është prezente me ndonjë shenjë të shtetësisë së saj dhe ku paraqitet si entitet në vete.

Ky është qëndrimi i prerë dhe i pandryshueshëm i qeverisë spanjolle për t’iu shmangur pjesëmarrjes në takimin joformal mbi gjendjen në Ballkan i cili pritet të mbahet në Bullgari, vend i cili kryeson këtë gjashtëmujor Bashkimin Evropian, më 17 maj në Sofje, raporton “turkeytelegraph”.

Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ky qëndrim i shtetit spanjoll është i ndërlidhur me situatën e pazgjidhur me Katalonjën.

Edhe zëdhënësi i Qeverisë spanjolle, Íñigo Méndez de Vigo, tha këtë javë pas mbledhjes së Qeverisë se Spanja nuk është aspak e interesuar që të njohë pavarësinë e Kosovës dhe se kryeministri i vendit, Rajoy, nuk do të marrë pjesë në takimet ku prezente është edhe Kosova, transmeton Koha.net.

“Ende nuk e dimë se kush do të shkojë e kush jo, nuk e dimë shumë mirë si do të strukturohet. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Qëndrimi i Qeverisë për Kosovën është i qartë dhe i palëkundur, së bashku me pesë shtete tjera të BE-së (Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia), nuk e njohim shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Méndez de Vigo. “Nuk e kemi bërë në të kaluarën dhe nuk do ta bëjmë as në të ardhmen”.

Rajoy, sipas burimeve brenda qeverisë spanjolle, siç raporton “turkeytelegraph”, nuk do të shkojë në takimin në Sofje nëse Kosova është në të. Ky qëndrimi i Spanjës është “etik” dhe “parimor” dhe se nuk ka të bëjë direkt me situatën konfliktuoze në Katalonjë.

Ndërkaq, siç raporton mediumi anglez, “Express”, mësohet se kryeministri spanjoll Mariano Rajoy, është takuar me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk dje, me qëllimin e vetëm që të bind Spanjën të marrë pjesë në samitin e bllokut në mes të majit.

Megjithatë, Rajoy ka refuzuar lutjet e Tuskut dhe është zotuar se Spanja do të bojkotojë samitin mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Samiti i Sofjes po mbahet si takim qenësor për të ardhmen e bllokut, tani që zgjerimi i BE-së është temë kyçe në agjendë, transmeton Koha.net.

Spanja ka thënë se bojkoti i saj në samit vjen për faktin se në këtë takim, prezent do të jetë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Rajoy frikësohet se do të fotografohet përkrah liderit të Kosovës dhe kjo pastaj do t’u jepte legjitimitet liderëve separatistë të Katalonjës si arsyetim për pavarësinë e tyre, transmeton Koha.net.

Megjithatë, liderë të Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë dhe Qipros, vende që s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, pritet që të marrin pjesë në samit.

Pas dështimit të djeshëm të Tuskut për të bindur liderin spanjoll, zyrtarë diplomatikë të BE-së me çdo kusht po kërkojnë mënyra për të siguruar pjesëmarrjen e Spanjës në takim, e madje po e konsiderojnë edhe heqjen e flamurit të Kosovës nga kjo ngjarje.

Mos-pjesëmarrja e Spanjës në takim do të ishte një goditje e paprecedent për unitetin e BE-së, pikërisht në kohën kur blloku po provon të konsolidohet pas Brexitit.

Presidenca bullgare e BE-së ka konfirmuar se presin “takim mes liderëve të 28 shteteve anëtare të BE-së dhe 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sofje”/koha.net/