Prokuroria Speciale: Rasti “Qielli i Thyer” me rreth 80 milionë euro konfiskime, 33 persona në paraburgim

E publikuar: 22/12/2025 12:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Speciale e Kosovës ka mbajtur sot një takim me ekipin e përbashkët për shënjestrimin e rasteve, ku në fokus ishte një nga rastet më të mëdha të krimit të organizuar, i njohur si “SkyCC” apo “Qielli i Thyer”, në të cilin janë të arrestuar 33 persona.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka deklaruar se vlera totale e konfiskimeve në këtë rast kap shifrën rreth 80 milionë euro, duke theksuar se bëhet fjalë për një precedent të paprecedentë për nga vlera e sekuestrimeve.

“Sot kemi thirrur një takim me ekipin e përbashkët për shënjestrimin e rasteve. Kemi të bëjmë me një rast jashtëzakonisht të rëndësishëm që ka të bëjë me krimin e organizuar. Vlera e konfiskimeve në total, përfshirë pasuritë e paluajtshme, paratë e gatshme dhe asete të tjera, shkon rreth 80 milionë euro. Është një rast që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë sa i përket kësaj vlere të sekuestrimeve”, tha Isufaj.

Ai bëri të ditur se të gjithë të dyshuarit janë aktualisht në paraburgim dhe se rasti trajtohet me prioritet të jashtëzakonshëm nga Prokuroria Speciale.

“Rasti është i ndjeshëm dhe i kemi të gjithë të dyshuarit deri më tani në paraburgim. Për ne ka prioritet jashtëzakonisht të madh. Nuk paragjykojmë se si do të përfundojë, por garantojmë se hetimet po zhvillohen me profesionalizëm dhe prioritetin e duhur”, theksoi kryeprokurori.

Prokuroria Speciale ka ritheksuar angazhimin për hetim të plotë dhe transparent të rastit “SkyCC”, i cili konsiderohet një nga goditjet më të mëdha ndaj krimit të organizuar në Kosovë.