Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër 32 të pandehurve për veprat penale “Rekrutimi për terrorizëm”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.
Të akuzuarit janë: I.H., E.B., F.I., K.B., B.S., F.D., E.B., V.G., F.B., K.R., K.B., H.N., B.Sh., B.I., A.B., E.L., J.B., A.K., B.H., Z.B., J.H., H.A., N.A., I.R., A.B., E.B., S.S., H.E., H.L., A.L., M.B. dhe S.H.
Prej tyre, 27 persona akuzohen për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste”, dy persona akuzohen për veprën penale “Rekrutimi për terrorizëm”, kurse tre persona akuzohen për veprën penale “Mbajtjes në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.
Për disa nga të akuzuarit ekziston dyshimi i bazuar se iu kanë bashkangjitur për të luftuar grupit terrorist në Siri, të quajtur ISIS, disa të tjerë kanë bërë ftesë për qytetarë për t’iu bashkuar grupit terrorist “ISIS”, ndërkaq disa të tjerë kanë rekrutuar njerëz për të dërguar në luftën e Sirisë, dhe njëkohësisht kanë mbledhur fonde për organizatat e lartcekura terroriste të shpallura nga OKB-ja.
Më 9 gusht të vitit 2014 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marr aktvendim për fillim të hetimeve kundër 57 personave dhe të njëjtën kohë u patën arrestuar mbi 40 persona. Nga ky grup 32 persona janë akuzuar, për 18 persona kanë pushuar hetimet dhe 7 persona ende gjenden në arrati.
Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cila i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit, për veprat penale që akuzohen, t’i shpallë fajtor dhe t’i gjykojë sipas ligjit.