Prokuroria Speciale ankohet për lirimin e Fatmir Limajt në rastin ‘Bellanica’

E publikuar: 07/05/2018 10:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Më pak se dy muaj pasi që Gjykata Themelore në Gjakovë shpalli aktgjykimin në rastin e njohur si “Bellanica”, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 tetor të vitit 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, më 2 tetor 1998.

Pas dëgjimit të disa dëshmitarëve, ndër ta krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjykata Themelore në Gjakovë më 9 mars të këtij viti e shpalli Limajn të pafajshëm.

Ndaj këtij vendimi tani është ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Lajmin për KALLXO e konfirmoi prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari.

“Po mund të ju konfirmoj se kemi ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi. Ankesën e kemi ushtruar mbi të gjitha bazat e parapara me Kodin e Procedurës Penale”, tha Hajdari./kallxo.com/