Prokuroria propozon arrest shtëpiak për Artan Grubin dhe konfiskimin e pasaportës

E publikuar: 23/02/2026 22:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka propozuar zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak dhe konfiskimin e dokumentit të udhëtimit për ish-zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi.

Në njoftim, Prokuroria ka vlerësuar se shumica e provave tashmë janë siguruar, se i dyshuari është paraqitur vullnetarisht pranë organeve të ndjekjes dhe se ekzistojnë indikacione për rrezikim të sigurisë së tij në paraburgim.

“Sa i përket masave për sigurimin e pranisë së të dyshuarit të dytë në vazhdim të procedurës, Prokuroria Themelore Publike Shkup propozoi zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak dhe konfiskimin e dokumentit të udhëtimit, duke pasur parasysh faktin se në pjesën më të madhe provat janë siguruar gjatë procedurës, se ai është paraqitur vullnetarisht pranë organeve të ndjekjes, si dhe se ekzistojnë indikacione se në repartin e paraburgimit nuk mund të garantohet siguria e tij personale, indikacione të cilat mbështeten me njoftime nga organet kompetente. Gjithashtu, indikacionet për rrezikimin e sigurisë kanë të bëjnë edhe me anëtarët e familjes së tij”, thuhet në njoftim.

Ai u arrestua mëngjesin e sotëm.

Sipas policisë, Grubi u paraqit në hyrje të vendit rreth orës 06:10 dhe u privua menjëherë nga liria. Ai është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejshme, ndërsa autoritetet nuk dhanë detaje shtesë mbi fazën aktuale të procedimit penal.

“Më 23.02.2026 në ora 06:10 minuta në hyrje të republikës së Maqedonisë së Veriut në vendkalimin kufitarë Bllacë u paraqit Artan Grubi, i lindur më 07.06.1977 me masën “Arresto”. Personi në fjalë është privuar nga liria për veprime të mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Ai është i përfshirë në një hetim që lidhet me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik, në kuadër të rastit që ka të bëjë me funksionimin dhe kontratat e Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut.

Sipas organeve të ndjekjes, hetimet kanë të bëjnë me vendime dhe kontrata që dyshohet se kanë shkaktuar dëme financiare të konsiderueshme në buxhetin e institucionit, që përllogariten në 500 milionë denarë apo mbi 8 milionë euro. Prokuroria pretendon se përmes procedurave të kontestuara janë favorizuar subjekte të caktuara ekonomike.

Gjykata paraprakisht kishte caktuar masë paraburgimi ndaj Grubit, ndërsa autoritetet e kishin shpallur në kërkim për shkak të mosparaqitjes para organeve të drejtësisë.