Prokuroria po merret me mbledhjen “urgjente” të zgjedhjes së kryetarit të ri pa e kryer mandatin i vjetri, KPM del me një reagim

E publikuar: 23/01/2025 16:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndonëse Jeton Mehmeti kishte edhe pak ditë mandat në krye të Komisionit të Pavarur të Mediave, anëtaret e Bordit të këtij institucioni në një mbledhje të jashtëzakonshme në thirrur nga Luljeta Aliu kishin vendosur që të zgjidhnin kryetar të ri, Besnik Berishën, ndërkohë që vetë Aliu u propozua për nënkryetare. Pas votimit të Berishës për kryetar, Jeton Mehmeti s’kishte pranuar që të vazhdonte mbledhjen, pavarësisht insistimit të anëtarëve të Bordit, meqë thoshte se s’ka siguri juridike, meqë s’mund të jenë dy kryetar në të njëjtën kohë.

Ky edhe ka qenë momenti kur mbledhja ishte mbyllur dhe nuk dihej si do të vazhdohej tutje me tollovinë e krijuar. Ndërkohë që pas kësaj mbledhje ku ishin bërë plotësim ndryshime të rregullores dhe zgjedhje e kryetarit të ri, Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte konfirmuar se është duke e shqyrtuar rastin.

“Po, jemi në fazën e shqyrtimit, është angazhuar një prokuror, poashtu jemi duke e vlerësuar aspektin e kompetencës, nëse është kompetencë e Prokurorisë sonë apo e Prokurorisë Speciale”, i kishte thënë Betimit për Drejtësi, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Zejnullah Gashi.

Pak ditë pasi Prokuroria ka konfirmuar se po merret me këtë çështje, në faqen zyrtare të KPM-së është lëshuar një sqarim për publikun, sqarim në të cilin pretendohet se gjithçka ka shkuar sipas rregullores së punës dhe ligjit.

Sipas këtij njoftimi në faqen zyrtare të KPM-së, thuhet se rast i njëjtë i zgjedhjes së kryetarit të ri ende pa i skaduar mandati kryetari të vjetër, kishte ndodhur me 9 mars të 2016-ës.

“Një praktikë e tillë e zgjedhjes së Kryetarit të ri të KPM-së para skadimit të mandatit të Kryetarit në detyrë është regjistruar edhe më herët respektivisht ri-zgjedhja e z.Adnan Merovcit me datë 09.03.2016, e që nuk ka pasur asnjë paqartësi. Kjo paraqet një historik institucional dhe precedent të ngjashëm, sa i përket funksionimit dhe punës së Komisionit”, thuhet në arsyetimin e KPM-së.

Për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme nga Luljeta Aliu, ka qenë juristja e medias, Flutura Kusari, ajo që ka ngritur alarmin, duke e cilësuar si përpjekje të pushtetit për kapjen e Komisionit të Pavarur të Mediave.

Kjo gjë s’i kishte pëlqyer fare Luljeta Aliut e cila kishte shprehur pakënaqësinë e saj me nxjerrjen e dokumentit në publik.

Kanë reaguar edhe organizata ndërkombëtare të gazetarëve, duke thënë se KPM duhet të mbahet larg nga ndikimet politik për të ruajtur mandatin për të cilin është i thirrur, mbrojtja e lirisë së medias e gazetarëve.