Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë kundër ish shefit të sektorit për ndërtim, ish zyrtarit për përmbarim dhe ish inspektorëve për ndërtim në Sektorin e Inspekcionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, për veprat penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 283 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe kundër një pronari të një kompanie private për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 398 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës dhjetë të pandehurit, duke vepruar si grup kriminal, të cilët kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare, për kryerjen e veprave penale, gjatë periudhës janar 2010 – mars 2014, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete dhe për të tjerët, ashtu që nuk i kanë i parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore, si dhe nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve, që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në Komunën e Prishtinës.
Ndërkaq, pronarin e një kompanie private aktakuza e ngarkon për falsifikimin e dokumentit, në bazë të së cilit ka ndërtuar një objekt kolektiv banesor pa lejen e ndërtimit.
Të gjithë të pandehurit, si zyrtarë të Komunës së Prishtinës, së bashku u kanë mundësuar investitorëve që të ndërtojnë objekte kolektive banesore, në kundërshtim me ligjin për ndërtim, duke iu siguruar atyre dobi të mëdha materiale, si dhe nga shitja e banesave dhe lokaleve, dobi financiare në shumë të përgjithshme prej 28.503,922,00 €.
Dobia e përfituar me anë të kryerjes së veprave penale është konfiskuar. Nga një i pandehur është konfiskuar vetura e markës Audi Q7, në vlerë prej 37.000,00 €, vetura e markës VW Golf në vlerë prej 12.500€, vetura tjetër e markës VW Golf në vlerë prej 16.800,00€, si dhe para në shumën prej 11.000,00 €. Nga një i pandehur tjetër është konfiskuar vetura e markës VW Passat, në vlerë prej 20.000,00€, si dhe para në shumën prej 10.560,00 franga zvicerane, 2.600,00$ amerikan dhe 1.880,00€. Ndërsa nga i pandehuri tjetër është konfiskuar banesa me sipërfaqe prej 76.3m2.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka filluar me grumbullimin e informatave të rëndësishme nga fusha e ndërtimit në shtator të vitit 2013, ndërsa ka marr aktvendimin për fillim të hetimit për këtë rast në prill të vitit 2014.
Aktakuza është ngritur pas përfundimit të një hetimi mjaft kompleks, që përfshinë një numër të madh të pandehurve dhe dëshmitarëve të shumtë. Gjatë hetimit janë shqyrtuar mbi 50 dosje të inspekcionit për ndërtim, është bërë foto dokumentacioni i objekteve të ndërtuara në mënyrë kundërligjore, si dhe është kryer hetimi financiar që ka rezultuar me konfiskimin e dobisë pasurore të përfituar me vepra penale.
Me ngritjen e kësaj aktakuze prokuroria ka vepruar me vendosmëri për ndjekjen penale dhe sanksionimin e personave zyrtarë, të cilët në një periudhë të gjatë kohore kanë toleruar ndërtimet kundërligjore të objekteve kolektive banesore, që për qëllim kanë pasur përfitime pasurore për vete dhe për investitorë, e që si pasojë kanë krijuar kaos urban në qytetin e Prishtinës.
Për veprat me të cilat të pandehurit ngarkohen sipas aktakuzës, prokurorja e rastit, nga radhët e prokurorëve vendës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe të dënojë sipas ligjit.