Prokuroria në ndjekje të atyre që prishën hetimin e fshehtë të policisë në spital

E publikuar: 21/02/2016 22:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Personat, të cilët kishin demoluar kamerat dhe kishin zbuluar hetimin e fshehtë të policisë brenda spitalit rajonal të Prizrenit, janë duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, raporton KohaVision.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, thotë se me këtë veprim u pengua puna hetimore dhe u dëmtua prona e policisë.

Sipas kryeprokurorit, tashmë dihet edhe kush është personi, i cili kishte dëmtuar kamerat e policisë.

E hetimet janë duke vazhduar edhe për dyshimet për korrupsion në repartin e Ortopedisë.

KTV-ja ka kontaktuar me drejtorin e spitalit, Afrim Avdaj, por ai ka thënë se nuk mund t’i komentojë hetimet për këtë rast.

Në nëntor të vitit të kaluar, disa nga mjekët e klinikës së Ortopedisë zbuluan kamerat përgjuese të vendosura në 5 dhomat e repartit të Ortopedisë.

Këto kamera ishin vendosur pasi atyre u ishin marrë çelësat me arsyen se do të dezinfektoheshin dhomat. Ato ishin vendosur në tavanet e dhomave me shikim drejt tavolinës së mjekut.