Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit se dhunoi për një vit të miturën në Prishtinë

E publikuar: 08/04/2025 16:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit J.G., i cili dyshohet se ka dhunuar një të mitur disa herë për rreth një vit.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se e mitura është dërguar për ekzaminim gjinekologjik.

“Prokurori kujdestar per shkak të dyshimit te bazuar se ka kryer vepren penale “Dhunimi” bazuar nga neni 227 par.8 lidhur me par.7., lidhur me par.4., nenpar.4.7., lidhur me par.1., lidhur me nenin 77 par.1 nenpar.1.1.5., të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kundër të pandehurit J.G., ka filluar hetimin pasi që viktima e mitur është abuzuar seksualisht nga i pandehuri J.G., i cili e kishte dhunuar disa herë për periudhë kohore rreth një (1) viti”, tha Shala.

Shala shtoi se prokurori i çështjes kundër të pandehurit ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

Ndryshe, Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh të hënën, njoftoi për arrestimin e të dyshuarit.

“Dhunim. Prishtinë 05.04.2025-12:00. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.