Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme shtyu për nesër seancën e shqyrtimit të kërkesës për masën e arrestit në shtëpi, për ish-kryeministrin Sali Berisha. Vendimi erdhi pasi avokatët e ish-kryeministrit kërkuan kohë të njihen me aktet e Prokurorisë së Posaçme. Kjo e fundit ka kërkuar që arresti në shtëpi të bëhet nën mbikëqyrje policore, gjë e cila, sipas avokatit Genc Gjokutaj, nuk parashikohet nga ligji.
Gjykata nuk hezitoi t’u përgjigjej pozitivisht avokatëve të ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilët deklaruan se kishin nevojë për kohë, në mënyrë që të njiheshin me argumentat dhe faktet e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme në mbështetje të kërkesës së tyre për të vendosur në arrest shtëpie ish-kryeministrin Sali Berisha.
Paralelisht, shtyrja për nesër i jep kohë edhe gjykatës që të vendosë edhe ndaj kërkesës tjetër të avokatëve për përjashtimin nga procesi të gjyqtares Irena Gjoka, e cila, sipas tyre, është në konflikt interesi me ish-kryeministrin.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që masa shtrënguese ndaj Berishës të zbatohet në banesën e tij, por elementi i ri që u mësua sot është se arresti do të duhet të realizohet nën mbikëqyrje policore. Një kërkesë, e cila, sipas avokatit Genc Gjokutaj, nuk është e mbështetur në ligj: “Paligjshmëria e kërkesës së prokurorëve është se ndryshimi masë së sigurimit është kërkuar me mbikqyrje policore, e pambështetur në ligj, çka tregon qëllimin e Prokurorisë dhe Gjykatës, jo për një proces të ligjshëm, por për t’u hakmarrë për arsye jo ligjore. Eshtë e paparashikuar në ligj kërkesa që kanë bërë prokurorët”.
Ndaj Berishës nuk është ngritur ndonjë akuzë, por ai është nën hetim për procedurat e privatizimit të ish-klubit sportiv Partizani, nën dyshimet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit, ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin lulëzoi më pas një grup i madh pallatesh.
Fillimisht, ndaj tij gjykata miratoi masën e detyrimit për paraqitje dhe ndalimin e udhëtimit jashtë vendit. Por, sipas Berishës, një masë e tillë ishte antikushtetuese, pasi Prokuroria do të duhej të kishte autorizimin e parlamentit. Ai refuzoi të zbatonte disa herë me radhë vendimin, gjë që çoi në kërkesën e Prokurorisë për ashpërsimin e masës së sigurisë. Këtë herë Prokuroria iu drejtua parlamentit për të marrë autorizimin e tij, duke qenë se bëhej fjalë për arrestim.
Pavarësisht tensioneve të vazhdueshme në sallë, parlamenti e miratoi kërkesën pa hezitim, ndërkohë që një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese nuk kishte marrë në konsideratë, në mes të tjerash, kërkesën e një grupi deputetësh të opozitës, për pezullimin e masave shtrënguese ndaj Berishës. /VoA