Prokuroria jep detaje për bastisjet e sotme, njofton se janë arrestuar disa persona

E publikuar: 16/07/2025 19:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, njofton se në kuadër të çështjes penale me shenjën “PP.I.126K/23”, ka realizuar sot bastisje dhe kontroll të autorizuar nga Gjykata, në disa lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime.

Sipas Prokurorisë, janë arrestuar pesë persona, transmeton KosovaPress.

Në njoftim thuhet se, kontrolli është zhvilluar në dy institucione shtetërore: Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencinë e Arkivave të Kosovës, si dhe disa lokacione tjera me interes për hetimin.

“Gjatë këtij aksioni, janë shoqëruar në polici pesë persona M.B., V.B. B.SH. M.B. dhe Z.SH., ndërsa pas intervistimit, disa prej tyre janë arrestuar, mbi dyshimin për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, gjatë së cilës hetimet po vazhdojnë ende për rastin e bartjes së pronave publike në private në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

KosovaPress raportoi sot për bastisjet në institucionin e arkivës shtetërore dhe institucionin kadastral.

Sipas njoftimit, hetimet lidhen me rastin e bartjes së paligjshme të pronës publike në pronësi private përmes një aktgjykimi të falsifikuar. Prokuroria thotë se prona në fjalë gjendet në Veternik të Prishtinës, dhe është pronësi publike e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) përkatësisht të ndërmarrjes shoqërore RTP.

Më tej thuhet se Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndjekjen e veprave penale që dëmtojnë interesin publik dhe pasurinë publike.