Publikimi i promos së emisionit “Drejtësia në Kosovë’ ku djali i një gjykatëse të Deçanit shihet duke marrë para në këmbim të zgjidhjes së një lënde në gjykatë e ka vënë në lëvizje Policinë dhe prokurorinë.
Vetëm 16 orë pas publikimit të promos për të gjeturat e këtij emisioni, Prokuroria e Pejës ka autorizuar një aksion kontrolli në shtëpinë dhe zyrat e përgjegjëses së gjykatës së Deçanit, Safete Tolaj.
Siq mëson KALLXO.com ekipet policore sot në mëngjes e kanë arrestuar në shtëpinë e tij në Prilep të Deçanit, Fisnik Tolajn ndërsa janë duke kryer kontrolle edhe në zyrat e gjykatës së Deçanit.
Emisioni Drejtësia në Kosovë ka paralajmëruar për të premtën mbrëma transmetimin e dëshmive për dyshime për korrupsion nga ana e djalit të gjykatëses Tolaj.
Në filmimet e siguruara nga “Drejtësia në Kosovë” shihet djali i kryetares së gjykatës duke marrë paratë e po ashtu duke u negociuar marrja e një parcele të tokës në këmbim të zgjidhjes së lëndës.
Në të tjera detaje, Fisnik Tolaj përmend rrjetin e tij duke u premtuar familjes se ka gjykatës e avokatë në Gjykatën e Apelit të cilët vendosin në favorin e tyre.

















