Metush Biraj, Prokuror kujdestar në Prokurorinë e Prizrenit ka thënë për Klan Kosovën se në konsultim me Prokurorin e shteti të Kosovës është vendosur që familjes Dehari t’i lejohet një ekspert neutral i mjekësisë ligjore gjatë procedurës së obduksionit të trupit të Astrit Deharit, i vdekur të shtunën në mbrëmje në rrethana ende të paqarta.
Kjo kërkesë e familjes Dehari kishte ardhur pasi ata thonë se për shkak të deklaratave kontradiktore të dhëna nga Prokuroria e Shtetit, Shërbimi Korrektues dhe Policia e Kosovës, kanë arsye të mos besojnë plotësisht në institucionet shtetërore.
Kërkesën e familjes e ka mbështetur edhe Lëvizja Vetëvendosje.
Madje sekretari i VV-së, Dardan Molliqaj, pohoi se po shikojnë të sjellin personel nga Shqipëria, apo ndoshta edhe nga Zvicra.
Gjithsesi, se prej nga do të jetë personeli – nga Kosova, apo jashtë saj – ende nuk është vendosur.
Por ajo që dihet tashmë dhe që Klanit ia ka konfirmuar vet Biraj është se autopsia do të bëhet nesër, e hënë, në orën 10:00.

















