Para anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) ka raportuar zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Arianit Salihu, për punën e kësaj Prokurorie gjatë vitit 2025.
Ai, ka deklaruar se formulari për raportim nuk parasheh raportimin me të dhëna për Njësitin për Krime Ekonomike dhe Korrupsion.
“Formulari për raportim nuk përmban të dhënat për Njësitin Ekonomik dhe Korrupsionit”, tha Salihu duke u përgjigjur në pyetjet e zëvendëkryesuesit Dardan Vuniqi.
Por, tha se përqindja e efikasitetit të zgjidhjes së lëndëve në këtë njësi është 88.9% me kryerës të njohur dhe se aktualisht njësiti po punon me pesë prokurorë në krahasim me vitin 2025 që kishte shtatë prokurorë.
Salihu tha se natyrshëm efikasiteti bie për shkak të zvogëlimit të numrit të prokurorëve në njësit.
Zëvendëskryeprokurori shtoi se në formularin për raportim duhet të parashihet raportimi për të dhënat në këtë njësit, përfshirë edhe të dhënat për Dhunën në Familje.
Paraprakisht, Salihu tha se për Departamentin për Krime të Rënda lëndë të bartura janë 683, të pranuara 469 dhe të zgjidhura 444 lëndë. Kurse, në Departamentin për të Mitur janë të bartura 567, të pranuara 825 dhe të zgjidhura 611, ndërkaq Departamenti Përgjithshëm ka bartur 4 mijë e 160 lëndë, ka pranuar 7 mijë e 307, dhe ka zgjidhur 6 mijë e 689 lëndë.
Në pyetjen e anëtarit Visar Krasniqi lidhur me Njësitin për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, Salihu tha se njësiti duhet të vazhdojë së funksionuari pasi që është i rëndësishëm për trajtim të këtyre rasteve dhe se Njësiti duhet të vazhdojë sepse trajton lëndë me interes, komplekse dhe voluminoze.
Arianit Salihu shtoi se të gjithë prokurorët në Prishtinë përdorin sistemin SMIL.
Po ashtu, Salihu tha se mbi 80 për qind të lëndëve janë nga Policia e Kosovës dhe se arsyeja e numrit të madh të lëndëve që kanë si Prokurori është për faktin se mbulojnë një territor të madh të vendit- përfshirë këtu kryeqytetin.
Sipas Salihut, gjatë vitit 2026 ku është bërë analiza nga Këshilli, aktualisht janë 46 prokurorë në Prishtinë dhe janë minus 29 prokurorë, ngase si Prokurori parashihet të kenë 74 prokurorë.
Më tej, Salihu tha se orari 08:00- 16:00 nuk funksion pasi që për shkak të ngarkesës së madhe duhet të punohet vazhdimisht me qëllim që të përballohet ngarkesa e punës.
Për seanca gjyqësore, ai tha se kalohet shifra mbi 14 mijë, duke shtuar se nuk kanë asnjë ditë të vetme për t’u marrë me lëndë për të thirrur palë për të intervistuar dhe për të ndërmarrë veprime për faktin se tërë ditën janë nëpër seanca.
I pyetur nga anëtari Visar Krasniqi për dallimet me lëndë mes prokurorëve ku dikush ka 300 lëndë e dikush dyfish më pak, Salihu tha se një situatë e tillë është e vërtetë por se norma vjetore është raportuar e suksesshme.
Ndërkaq, në pyetjen e anëtares tjetër Elza Bajrami-Kastrati se cila është arsyeja që më shumë ka aktgjykime liruese në Departamentin për Krime të Rënda, zv/kryeprokurori tha se në të gjitha rastet kur e kanë vlerësuar e kanë apleuar vendimin dhe se angazhohen njëjtë sikurse edhe në raste të tjera.
Më tej, në pyetjen e anëtarit Milot Krasniqi, Salihu tha se nuk ka të dhëna për veprat penale “Mosdeklarim i pasurisë”, se a kanë paraqitur ankesë ndaj aktgjykimeve liruese në rastet kur kanë qëndruar prapa aktakuzës prokurorët.
Ndërkaq, i pyetur se a ka pasur marrëveshje për pranim të fajësisë te veprat penale të “Vrasjes” dhe ato që lidhen me integritetin seksual, Salihu tha se nuk ka të dhëna për këto vepra penale dhe se për këtë të dhënë mund të njoftojë për periudhat e ardhshme të raportimit.
Më tej, në pyetjen se pse ka dallime mes prokurorëve në Krime të Rënda dhe Departament të Përgjithshëm që dikush ka më shumë aktgjykime liruese dhe refuzuese e dikush më pak, Salihu tha se një dallim i tillë ekziston duke shtuar se ka disa faktorë pse ndodh kjo dhe ndër arsyet është se prokurorët përfaqësojmë aktakuza të kolegëve.
Më pas, kryesuesi Arian Gashi iu drejtua anëtarit Milot Krasniqi pasi që ky i fundit paraprakisht tha se klima e raportimit është më e mirë në krahasim me atë të javës së kaluar.
“Kemi subjekt raportues që po përgjigjet në pyetjet tona dhe subjektet e raportimit janë për raportim e jo parashtrim të pyetjeve dhe se e imja si kryesues është që të ndërhyj”, tha Gashi.
Më tej, Gashi kërkoi të di në rast se janë duke u zbatuar udhëzimet e Prokurorisë së Apelit kur rastet kthehen në rivendosje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e që Salihu tha se shpeshherë kanë pasur vendime të Prokurorisë së Apelit pa udhëzime konkrete.
“Kemi pas raste që nuk ka pas udhëzime, kemi pas raste që kanë kërku m’u riprocedu dëshmitarët dhe cili është qëllimi i riprocedimit dhe ne kemi konsideru se nuk kemi çka të riprocedojmë, kemi pas rekomandim nga Prokuroria Apelit që të ndërmarrim veprime ndaj një personi që nuk ka qenë fare pjesë e institucionit”, tha Salihu.
Ndërkaq, Kryeprokurori Shtetit- Zejnullah Gashi tha se duhet që në takimet e ardhshme si Zyrë e Kryeprokurorit të Shtetit këto dallime mes Prokurorisë së Apelit dhe atyre Themelore t’i trajtojnë.
“ …do të mundohemi që të bëjmë një skanim të gjendjes që të shihen se cilat argumente janë më të qëndrueshme me qëllim që ato lëndë të mos kthehn dhe ky ping-pongu të mos jetë sepse po ndikon në zvarritje të procedurës dhe po ndikon edhe në përformancën e përgjithshme të prokurorive, në të ardhmen pra do të trajtohen këto nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, dhe do të vlerësohen të gjitha argumentet në kolegjiumet e ardhme”, u shpreh Gashi.
Në fund, u miratua raportimi i Salihut me kusht që të plotësohen edhe të dhënat nga Njësit për Krime Ekonomike dhe Korrupsion.



























