“Kriminaliteti i ‘jakës së bardhë’ – sakrifikimi i zyrtarit të vogël për ta shpëtuar zyrtarin e lartë”. Kjo metodë, sipas Prokurorisë, është tentuar që të përdoret nga ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, si dhe nga dy të akuzuarit e tjerë për korrupsion, Hakif Veliu e Albert Rakipi, gjatë shqyrtimit gjyqësor që është zhvilluar ndaj tyre, shkruan sot Koha Ditore.
Mirëpo, sipas Prokurorisë, gjykata duhet të mbështetet në faktet dhe provat që janë administruar gjatë gjykimit, të cilat flasin për një të vërtetë tjetër. Ky konstatim është përfshirë në fjalën përfundimtare, e cila është prezantuar të premten para Gjykatës Themelore të Prishtinës. Prokuroria ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Në anën tjetër, Hasani dhe të tjerët kanë kërkuar që Gjykata të mos i marrë për bazë pretendimet e Prokurorisë, si dhe t`i lirojë nga akuza, duke pretenduar se janë të pafajshëm. Aktgjykimi pritet të shpallet të mërkurën e ardhshme..


















