Prokurori: Shohim përfshirjen e Veselit në krimet e ngritura në aktakuzë, mungesa e tij në Kosovë s’e ndryshon situatën

E publikuar: 10/02/2026 12:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokurori Matt Halling ka thënë se mund të shihet përfshirja e Kadri Veselit në krimet e ngritura në aktakuzë.

Këtë deklarim, prokurori e mbështeti duke treguar për ndalimin e një personi për të cilin tha se u transferua personalisht nga Veseli në Kleçkë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ne mund të shohim përfshirjen e Kadri Veselit në krimet e ngritura në aktakuzë edhe sa i takon ndalimit të Milan Mitroviqit. Në dosjen tonë diskutohet se si Veseli personalisht ka transferuar këtë person të keqtrajtuar në Kleçkë”, tha Halling.

Ai prezantoi edhe një dokument ku tregon ndalimin e Mitroviqit dhe që bashkëngjitur me atë shkruan “Shtabi Kryesor (Luli)”.

Halling theksoi se edhe vetë Veseli ka deklaruar se ka qenë në afërsi të Kleçkës kur është transferuar Mitroviq.

Tutje, prokurori shtoi se një dëshmitar që është mbajtur në Kleçkë së bashku me Mitroviqin, ka thënë se janë rrahur keq.

“Kadri Veseli ka ende shumë më tepër informacion sa u takon krimeve të kryera edhe përtej atyre në të cilat ka qenë ai personalisht i përfshirë”, shtoi Halling.

Në korrik të 1998-ës, sipas prokurorit, dëshmitari 2144 u takua me Veselin dhe Thaçin dhe paralajmëroi për raportimet për rrëmbimet dhe ndalimet e kryera nga UÇK-ja.

Ky dëshmitar, ai thotë se kishte deklaruar se Thaçi kishte thënë se UÇK-ja ishte ushtri e rregullt dhe e respektonte Konventën e Gjenevës.

“Mosangazhimi i Kadri Veselit për të parandaluar dhe kundërshtuar krimet në rolet që kanë mbajtur në Shtabin e Përgjithshëm në njësinë e ZKZ-së është një kontribut sa i takon akuzave të ngritura në aktakuzë për NPK-në, si dhe nuk ka përmbushur detyrat e tij si një epror i përgjegjshëm”, tha ai.

Përveç kësaj, prokurori deklaroi se mungesa e Veselit në Kosovë nuk e ndryshon situatën pasi ai mund t’i ushtronte kompetencat e tij ngado që ishte.

“Mungesa e tij në Kosovë nuk e ndryshon situatën. Veseli mund të ushtronte kompetencat e veta në Kosovë kudo që ishte dhe kurdo që dëshironte”, tha prokurori Halling.