Prokurori kërkon dënimin e katër zyrtarëve komunalë të Ferizajt dhe një biznesmeni të akuzuar për korrupsion, mbrojtja lirimin e tyre

E publikuar: 24/01/2025 16:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në seancën e së premtes është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin ndaj të akuzuarve Fehmi Reka, Arbërie Topalli, Arbnora Sejdiu, Hajrush Leka dhe Bahri Xhemajli, të cilët po akuzohen për korrupsion dhe vepra tjera penale.

Palët në këtë procedurë kanë dorëzuar fjalën e tyre përfundimtare në formë të shkruar dhe më pas të njëjtën e kanë elaboruar me gojë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori i këtij rasti, Rasim Maloku ka kërkuar nga gjykata dënimin e të akuzuarve.

“Pas dorëzimit të fjalës përfundimtare në formë të shkruar, shtoj se ka ndodhur një gabim teknik sa i përket të akuzuarës Arbërie Topalli, e që tash e tutje duhet të figuroj si Arbërie Bekteshi. Sa i përket aktakuzës e njëjta është vërtetuar në bazë të provave. Propozoj që të akuzuarit kjo gjykatë t’i gjejë dhe t’i shpalli fajtor për veprat penale si në aktakuzë”, tha prokurori Maloku.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Fehmi Reka, avokati Sami Reka tha se veprimet e të mbrojturit të tij nuk përkojnë me gjendjen faktike si në aktakuzë.

“Keqpërdorimi i detyrës zyrtare do të kryhej po të mos kryheshin detyrat zyrtare sipas përgjegjësive të vet. Veprimet nuk përkojnë me gjendjen faktike dhe as nuk janë argumentuar. Andaj, kërkojmë nga gjykata të akuzuarin Fehmi Reka ta liroj nga akuza” ka thënë avokati Sami Reka.

I akuzuari Reka tha se e mbështet fjalën e avokatit të tij, ndërsa shtoi se sa i përket dokumentit të falsifikuar ishte njoftuar nga zyrtari hetues në fazën e hetimeve dhe atë në fazën kur projekti ka qenë në përfundim.

Mbrojtësi i të akuzuarës Arbërie Bekteshi, avokati Fitim Shabani tha se nuk janë përmbushur elementet e veprës penale me çka e ka ngarkuar akuza të akuzuarën Bekteshi.

“Vlerësojmë se nuk ka përgjegjësi penale në këtë rast e mbrojtura ime, ndaj vlerësoj se nuk është përmbushur figura e veprës penale, andaj kërkojmë nga trupi gjykues që e njëjta të lirohet nga akuza”, tha avokati Shabani.

Ndërsa, e akuzuara Arbërie Bekteshi tha se e përkrah fjalën e avokatit mbrojtës dhe tjetër nuk pati për të shtuar.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarës Arbnora Sejdiu, avokati Urim Bajraktari ka dorëzuar fjalën përfundimtare me shkrim dhe nuk pati për të elaboruar poashtu e akuzuara Sejdiu nuk pati për të shtuar gjersa tha se e përkrah fjalën përfundimtare të mbrojtësit të saj të dorëzuar në formë të shkruar.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Hajrush Leka, avokati Abdurrahim Islami tha se nuk është vërtetuar se ekzistojnë elemente të veprës penale.

“Me asnjë provë nuk është vërtetuar se ekzistojnë elemente të veprës penale. Ka qenë mungesë e elementit qenësor të veprës penale, dashja e përfitimit për vete apo për personin tjetër, as nuk e njihte operatorin, kështu që kërkoj trupit gjykues të merr aktgjykim lirues pasiqë vlerësojm se është adekuat për këtë rast”, ka thënë avokati Islami, të cilën deklaratë e mbështeti edhe i akuzuari Leka.

Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Bahri Xhemajli, avokati Naim Ferati kërkoi nga trupi gjykues që në mungesë të provave të sjell aktgjykim lirues.

“Nga provat e administruara faktikisht dhe juridikisht nuk është vërtetuar gjendja faktike. Me asnjë provë nuk është vërtetuar se është kryer vepra penale siç e ka ngarkuar organi i akuzës, që i mbrojturi im ka lëshuar apo përpiluar një dokument të tillë siç thuhet në aktakuzë. Konsiderojmë që në mungesë të provave i mbrojturi im Bahri Xhemajli të lirohet nga akuza”, ka thënë avokati Ferati.

Me kaq kryetari i trupit gjykues, Ilir Bytyqi ka shpallur të përfunduar këtë çështje penale.

Në këtë rast, i akuzuar ka qenë edhe biznesmeni Altin Xhemajli, i cili tashmë është dënuar me 20 mijë euro gjobë, pasi që procedura ndaj tij ishte veçuar.

Ndryshe, sipas aktakuzës i akuzuari Fehmi Reka ngarkohet se më 4 tetor 2019, si menaxher i zyrës së prokurimit në Komunën e Ferizajt, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Reka si përfaqësues i autoritetit kontraktues- Komunës së Ferizajt, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik (LPP), kishte nënshkruar kontratë me operatorin ekonomik “Altinn” Sh.p.k, me seli në Ferizaj për furnizim me mjete të punës, edhe pse ky operator nuk i kishte plotësuar kushtet për pjesëmarrje në tender, pasi që ishte i regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve më 14 maj 2019, kurse kishte paraqitur referencë të falsifikuar për kryerjen e shërbimeve gjatë vitit 2017/2018, në vlerë prej 200 mijë euro.

Për këtë veprim, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1 të Kodit Penal.

Pika e dytë e aktakuzës i ngarkon të pandehurit Arbërie Topalli, Arbnora Sjediu dhe Hajrush Leka se më 27 shtator 2019, në Ferizaj se si anëtarë të komisionit për vlerësimin e ofertave në ritenderin “Pjesëmarrja në ngritjen e zhvillimit të bizneseve” të Komunës së Ferizajt, në kundërshtim LPP-në, i kishin rekomanduar komisionit të lartcekur që të lidhë kontratë me operatorin ekonomik “Altinn” Sh.p.k, edhe pse i njëjti nuk i ka plotësuar kushtet për pjesëmarrje në tender, pasi që ka paraqitur referencë të falsifikuar.

Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje” nga neni 414, par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Kurse, në pikën III të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Altin Xhemajli, më 16 shtator 2019, në Ferizaj, kishe përdorur dokumentin e falsifikuar si original- si pronar i ndërmarrjes “Altinn” Sh.p.k, dhe me rastin e dorëzimit të ofertës për tenderin e shpallur nga Komuna e Ferizajt, kishte dorëzuar referencën e falsifikuar, të lëshuar nga NSH “Besa”, me anë të së cilës referencë kompania referon se ndërmarrja “Altinn” Sh.p.k ka qenë e angazhuar në furnizimin e makinerive të ndryshme për kompaninë “Besa”, i cili është realizuar në vitin 2017/2018.

Me këtë veprim, ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390, par.1 të Kodit Penal.

I akuzuari Altin Xhemajli ngarkohej edhe me veprën penale “Mashtrim i blerësve” nga neni 293, par.1 të KPRK-së, pasi që në aktakuzë thuhet se i njëjti me qëllim të mashtrimit të blerësve kishte përdorur markën e cila nuk i përgjigjet llojit dhe prejardhjes së mallit.

Sipas pikës IV të aktakuzës, i pandehuri Bahri Xhemajli po akuzohet se në nëntor të vitit 2019 në Ferizaj kishte falsifikuar dokumentin me qëllim që të përdoret si origjinal, pasi që si pronar i NSH “Besa” kishte lëshuar referencë me përmbajtje të falsifikuar, me të cilën referon me përgjegjësi të plotë se kompania “Altinn” Sh.p.k, ka qenë e angazhuar me furnizimin e makinerive të ndryshme për kompaninë e tij, i cili është realizuar në vitin 2017 /2018 edhe pse e ka ditur se kompania “Altinn” Sh.p.k ishte regjistruar në vitin 2019.

Me këtë rast, i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390, par.1 të Kodit Penal.

Po ashtu, dispozitivi i fundit i kësaj aktakuze i ngarkon të pandehurit Altin dhe Bahri Xhrmajli, se në muajin nëntor 2019, i akuzuari Altin Xhemalji si pronar i ndërmarrjes “Altini” sh.p.k, ndërsa Bahri Xhemajli si pronar i NSH “Besa”, me vetëdije kanë shkelur rregullat e prokurimit publik në kundërshtim me LPP-në, ngase gjatë aplikimit në tenderin “Pjesëmarrja në ngritjen zhvillimit të bizneseve” i shpallur nga Komuna e Ferizajt, kanë paraqitur dokument të rremë me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik.

Për këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik në bashkëkryerje” nga neni 415, par. 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi