Zyra e Prokurorit të Specializuar ka nisur deklaratën hyrëse në nisje të gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Prokurori Alex Whiting theksoi faktin se të katërtit ishin nga figurat kyçe të UÇK-së, por pasi përmendi akuzat të cilat janë ngritur ndaj atyre, tha se nuk po gjykohet UÇK-ja, raporton Gazeta Express.
“Kjo çështje gjyqësore nuk kërkon të procedojë UÇK-në. Nuk i akuzon të gjithë anëtarët e saj. Nëse dikush e thotë këtë, e ka gabim, është e rreme. Thjesht nuk është e vërtetë”, tha ai.
“Akuzat ngrihen kundër katër personave, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, se kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në vitin ’98 dhe ’99”,shtoi prokurori.
Whiting tha se “shumica e anëtarëve të UÇK-së nuk kishin të bënin fare me këto apo me krimet për të cilat ngrihet aktakuza”.
“Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë vetëm me çfarë kanë bërë këta katër të akuzuar, ka të bëjë me krimet të cilat i kanë kryer gjatë luftës”, tha ai.