Prokurori i ri i Task-forcës që heton pohimet e Dick Martyt për trafikim organesh në Kosovë, David Schwendiman, ka arritur sot në Bruksel për të filluar punën si pasues i prokurorit të deritashëm Clint Williamson.
Me të arritur në Bruksel, sipas një kumtese të lëshuar nga Task-Forca Speciale (SIFT) Schwendiman ka thënë se e ka pranuar këtë detyrë me një përgjegjësi të plotë dhe se angazhimi i tij është edhe një rikonfirmim i bashkëpunimit të ngushtë që kanë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Unë e mbështes plotësisht punën hetimore që është kryer nga SIFT si dhe deklaratën e bërë nga paraardhësi im, ambasadori Clint Williamson, në korrik të vitit 2014. Unë jam i përkushtuar që të punoj dhe ta çoj këtë proces përpara”, citohet të ketë thënë Schwendiman.
Në mënyrë që procesi të ecë përpara, Schwendiman ka thënë se nevojitet që sa më parë të formohen dhomat speciale të gjykatës dhe prokurorisë.
“Unë i inkurajoj të gjitha palët e përfshira që të bëjnë më të mirën nga ana e tyre për ta miratuar kornizën e nevojshme ligjore në mënyrë që kjo të bëhet e mundshme”, ka thënë Schwendiman duke siguruar pavarësinë, paanshmëri dhe integritet të hetimeve penale.
“Kjo është e një rëndësie të madhe për neve në mënyrë që të jem në gjendje ta përfundojmë hetimin tonë përkitazi me pretendimet e paraqitura në Këshillin e Evropës në vitin 2011”, ka përfunduar ai.