Projektligji për ushtrinë shkon në Qeveri

E publikuar: 11/05/2018 08:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Forcës dhe e Sigurisë e Kosovës me 8 ditë vonesë ia ka dërguar Qeverisë së Kosovës draftligjet për transformimin e FSK-së në ushtri, ndërsa tani i mbetet Qeverisë së Kosovës që ta procedojë të njëjtën në mbledhje të Qeverisë
Ministria e Forcës dhe e Sigurisë e Kosovës ka konfirmuar që Projektligji për Transformimin e FSK-së është dërguar në Qeveri më 8 maj, me ç’rast ata janë shprehur të bindur se partitë politike të vendit do të votojnë pro këtij transformimi.

“Pas marrjes së deklaratës financiare për koston buxhetore nga Ministria e Financave dhe pëlqimit nga Ministria e Integrimeve Evropiane që draftligjet janë të harmonizuara me legjislacionin e BE-së, draftligjet për transformimin e FSK-së MFSK-ja më 8 maj 2018 i ka dërguar në Qeveri”, ka thënë Ibrahim Shala, zëdhënës në MFSK, shkruan më tutje “Zëri”.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës thotë se po kërkon konsensus për këtë çështje, që sipas tyre duhet të bëhet në koordinim me partnerët strategjikë të Kosovës./Zeri/