Ish ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se projekt statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe i paraqitur me 2 maj në Bruksel, cenon parimet themelore të pavarësisë së Kosovës.
“Lidhur me Asociacionin, të jetë një bashkim komunash që nuk rrezikon aspak sovranitetin e Kosovës, por që ju bën të mundur serbëve të Kosovës që ta pranojnë Kosovën si vendin e tyre”, tha ai.
Zoti Spahiu vlerëson se çfarëdo zgjidhjeje për të drejtat e pakicës serbe në Kosovë, duhet të vlejë edhe për pakicat tjera në rajon, përfshirë pakicën shqiptare luginën e Preshevës në Serbi.
“Do të ketë zhvillime të tilla, është diçka e paevitueshme, madje lidhur edhe me pakicat tjera që jetojnë ta zëmë në Serbi, Maqedoni dhe vende të tjera. Prandaj në njëfarë mënyre kjo hap kutinë e Pandorës që të ndodhin situata të tilla. Natyrisht gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës është të mos e quaj alarmante, për shkak të një diskriminimi pasiv që po organizohet”, tha ai. .
Zoti Spahiu aktualisht udhëheq Këshillin e Ambasadorëve të Kosovës, i cili, thotë ai, synon mes tjerash mbështetjen e vendit në realizimit të interesave shtetërore në marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Tanimë Kosova ka mbi 50 ish ambasadorë që kanë shërbyer dhe që nuk janë më në shërbim. Ata duan që ta japin kontributin e tyre në aspektin e këshilldhënies dhe të mbështetjes pa pagesë të ministrisë sonë të Jashtme apo të kujtdo qoftë që dëshiron t’i ketë shërbimet tona”, tha ai.
Në kuadër të bashkëpunimit që Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës ka me Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, në Prishtinë gjatë kësaj jave qëndruan tetë ish ambasadorë amerikanë.
Udhëheqësi i këtij Këshillit, ish ambasadori Timothy Chorba tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se synimi i vizitës është njoftimi i delegacionit amerikan me çështjet kryesore politike në rajon dhe pritshmëritë e tij për të ardhmen.
Ai tha se përparimi që ka shënuar Kosova viteve të fundit është i jashtëzakonshëm.
“Unë isha këtu para katër vitesh dhe nuk kam qenë më për shkak të COVID-19-ës, por është i jashtëzakonshëm zhvillimi fizik, ndërtimi, modernizimi. Por më e rëndësishmja një shtet i ri po ndërtohet e zhvillohet nën parime demokratike, kështu që kur ta mendosh ka qenë një investim shumë i mirë i Shteteve të Bashkuara”, tha ai.
Zoti Chorba tha se vullneti i Kosovës në rrugën e integrimeve është i qartë dhe se pret ta shohë atë anëtare në organizata shumëpalëshe, në një të ardhme jo shumë të largët.
“Do të prisja që të jetë në interesin e NATO-s ta bëjë Kosovën anëtare të saj në një pikë, në një të ardhme jo shumë të largët, kur NATO-ja vendos që është e përshtatshme. Kosova ka vullnetin e dëshirën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në organizata të tjera shumëpalëshe dhe si thotë një fjalë amerikane ‘kur ka një vullnet – ka dhe një rrugë”, tha Zoti Chorba.
Ai vlerësoi lart partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara, ndërsa shprehu posaçërisht mirënjohje për strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë.
Delegacioni i ambasadorëve amerikan gjatë vizitës në Kosovë zhvilloi takime edhe me udhëheqës të institucioneve, përfaqësues të partive politike opozitare si dhe të biznesit. /VOA