Programi me FMN-në ka praktikisht 100% pikat e Programit të Qeverisë

E publikuar: 07/07/2015 19:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Financave Avdullah Hoti dhe përfaqësuesi rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovë Frank Lajkwik sot në Konferencë për media kanë qartësuar edhe një herë marrëveshjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar, pas disa keqinterpretimeve nga mediat në lidhje me këtë marrëveshje.

“Në këtë Konferencë ju kemi ftuar që të qartësojmë edhe një herë marrëveshjen për programin që e kemi arritur me Fondin Monetar Ndërkombëtar, sepse ditëve të fundit ka pasur në media disa informata jo të sakta dhe jo korrekte në lidhje me këtë marrëveshje “, deklaroi para gazetarëve ministri Avdullah Hoti.

Ai tha se më 29 dhjetor të vitit të kaluar është aprovuar në Kuvendin e Kosovës Buxheti për vitin 2015. Ku sipas tij në atë kohë Qeveria ka bërë të ditur se në atë buxhet në disa aspekte nuk është prezantuar gjendja reale tek të hyrat dhe rrjedhimisht edhe tek shpenzimet, kështu që kemi thënë se do ta rishikojmë buxhetin në mesin e vitit 2015.

“Qeveria e Republikës së Kosovës në shkurt të këtij viti ka aprovuar Programin qeverisës ku janë paraparë një varg reformash fiskale, reforma administrative, reforma strukturore dhe reforma të tjera. Pastaj disa nga pikat njëjta të këtij programi janë futur në programin me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Psh. Ligji i prokurimit publik dhe ndryshimi i tij, aplikimi i prokurimit elektronik, nevoja për të hyrë në marrëveshje ndërkombëtare, në kredi të buta për të financuar projekte dhe nevoja që ne të kemi një rregull fiskale. Ndërsa, sa i përket rritjes së pagave të mos kemi rritje të njëhershme 25 %, por të kemi rritje të vazhdueshme vjetore një rregull të shkruar, që nuk e bënë rritjen e pagave në diskercion të qeverisë, por e bënë normë dhe sjellje të zakonshme ligjore”, tha Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se të gjitha këto kanë qenë pjesë e programit qeverisës dhe për këto që nga janari është diskutuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në prill në takimet e rregullta vjetore të FMN-së në Uashington janë konkretizuar bisedat.

“Programi me Fondin Monetar Ndërkombëtar është konkretizuar në fillim të muajit qershor dhe ky Program me FMN-në ka praktikisht 100% pikat e programit qeverisës si p.sh Rregullën për të përcaktuar rritjen e pagave në sektorin publik, reformën sa i përket Agjencionit të Privatizimit, kompletimin e bordit dhe shfrytëzimi i mjeteve të lira që i ka Fondi i Privatizimit, prokurimi i centralizuar. Të gjitha këto kanë qenë të parapara në Programin e qeverisë të cilat pastaj i kemi bërë edhe pjesë me programin me FMN-në. Aplikimi i prokurimit elektronik është pjesë e programit qeverisës dhe një objektivë shumë e rëndësishme edhe ky është bërë pjesë e programit me Fondin Monetar Ndërkombëtar si dhe shumë pika të tjera që e kanë fuqizuar pozicionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës karshi partnerëve tanë ndërkombëtarë financiar” , ka thënë ministri Hoti.

Ministri Hoti gjithashtu bëri të ditur se “Në programin e Qeverisë është paraqitur nevoja që të hyjmë në projekte të mëdha kapitale të cilat nuk mund të financohen përmes buxhetit të rregullt dhe si rezultat i kësaj ne kemi arritur marrëveshjen me FMN-në që të ndryshojmë rregullën fiskale, që të respektojmë deficitin buxhetor prej 2% në kuadër të buxhetit të rregullt, por mbi këtë 2% ne të arrijmë të hyjmë në kredi të buta ndërkombëtare. Për këtë janë identifikuar edhe projektet kryesore me FMN-në të cilat i kemi bërë publike disa herë dhe se programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës me FMN-në është reflektim i objektivave që ka Qeveria. Nuk është program i njëanshëm është thënë disa herë edhe prej përfaqësuesve të FMN-në se Qeveria e Kosovës nuk ka nevojë për program me FMN-në sepse nuk jemi në pozitë të vështirë fiskale. Kemi hy në këtë program me FMN-në për të na ndihmuar si Qeveri në disa reforma që janë fundamentale dhe e dyta dhe për të na dhënë mundësi që ne të marrim financim prej organizatave ndërkombëtare, për të ndryshuar rregullën fiskale për të mundësuar implementimin e këtyre projekte që hapin mundësi zhvillimore të vendit, gjithmonë duke ruajtur pozicionin e mirë fiskal të cilin e kemi si Qeveri.

Ndërsa, Frank Lajkwik, përfaqësues rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovë theksoi se ka pasur privilegjin që të jetë i përfshirë në tërë procesin që ka dërguar deri tek marrëveshja në ndërmjet Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Qeverisë së Kosovës.

“Është shumë e qartë për mua që Qeveria që është krijuar vitin e kaluar e ka vendos dhe ka caktuar një program qeverisës mjaftë themelor. Dhe posa që Qeveria ka hartuar programin e vetë qeverisës ka kërkuar mbështetje nga ne në mënyra të ndryshme”, ka thënë Lajkwik.

Ai theksoi se “Qeveria praktikisht ka trashëguar një buxhet mjaftë të keq për vitin 2015 dhe ka qenë shumë e qartë se Qeveria nuk ka pas dëshirë të vazhdojë me atë buxhet por ka dashur ta korrigjoj atë. Për këtë ne kemi diskutuar me Qeverinë e Kosovës ku edhe jemi të gatshëm ta mbështesim Qeverinë në këtë pjesë sepse ky në fund të fundit është edhe roli ynë. Por, ka qenë edhe një gjë shtesë që mund ta quajmë edhe inovacion ku Qeveria e Kosovës ka thënë që ne dëshirojmë ta kontrollojmë Buxhetin, por në të njëjtën kohë Kosova ka nevoja të mëdha zhvillimore. Kështu që pyetja për ne ka qenë se si të mbajmë buxhetin themelor nën kontroll por në anën tjetër të kemi para edhe për investime kapitale që janë të nevojshme për zhvillim të projekteve”.

“Siç tha ministri Hoti zgjidhja ka qenë që të bëjmë një ndryshim të vogël në rregullën fiskale. Pjesët kryesorë të rregullës fiskale janë të njëjta nuk janë ndërruar duke përfshirë edhe limitin prej 2% të deficitit. Por, në rregullën fiskale ka pas një dispozitë që ka thënë që në raste të caktuara pjesë të caktuara të fondeve mund të përdoren për investime kapitale dhe kjo dispozitë ligjore që veç ka qenë në rregullën fiskale tash do të ndërrohet në mënyrë që ti lejohet Qeverisë që të marrë kredi nga institucionet ndërkombëtare. Dhe në këtë mënyrë kemi ardhur deri tek një marrëveshje së bashku që të ndryshohet pak kjo dispozitë në mënyrë që të lejojmë Qeverinë që të mund të marrë hua nga institucionet financiare”, ka shtuar Lajkwik.

Ai gjithashtu tha se ka shumë gjëra në Programin qeveritar dhe jo të gjitha kanë mundur të vendosen në programin me FMN-në, por ato që kanë qenë më të rëndësishme janë vendos në këtë Program.