1. Emrat e rrugëve nuk janë vetëm për orientim. Emrat e rrugëve janë kujtesë, kulturë, qytetërim. Fatkeqësisht, rrugët e Prishtinës së sotme, me shumicë absolute, janë të emërtuara me emra anonim, provincialë, ideologjikë. Me emra, që përveç disa përjashtimesh, nuk thonë asgjë për një kryeqytet të një shteti në zemër të Evropës dhe të një populli me rrënjë në lashtësi. Prandaj me kësi emrash, as nuk mund të orintohesh e as mund të krenohesh, si kryeqytetas e as si shqiptar. Mendoj se emrat e shesheve dhe të rrugëve të kryeqytetit tonë do të duhej të shprehnin trashëgiminë tonë, që nga periudhat ilire, romake, bizantine, osmane, jugosllave e deri në ditët tona. (Meqë ndonjë patriot me bateria mund të më hakërrehet me pyetjen: ”pse edhe jugosllave?”, po e bëj këtë digresion: emrat si Mirosllav Kërlezha, Vladimir Bakariq, Eduard Kardel, Dimitrje Tucoviq e ca të tjerë të kësaj fryme, do t’i bënin nder kryeqytetit tonë.) Ajo është një histori që ka ndodhur e që nuk mund të ndryshohet. Duke e fshehur pjesën më të madhe të së kaluarës sonë, vetëm sa po e çoroditim edhe historinë tonë të re, sepse po e paraqesim veten dhe vendin tonë si popull e si vend pa rrënjë historike e pa vlera kulturore. Më saktë, me një histori të fundshekullit XX, e cila ende as që është filtruar e as që është vlerësuar shkencërisht.
Natyrisht, pjesa e verifikuar e kësaj historie duhet të afirmohet maksimalisht edhe me emra sheshesh e rrugësh, por në kuadër të një projekti tërësor të afirmimit të historisë e të kulturës sonë kombëtare. Pra, jo e separuar, si të kishte ndodhur krejt ndaras nga një proces shumëshekullor i ekzistencës dhe i përpjekjeve ilire e shqiptare për identitet e liri. Ndërsa, emërtimet e shesheve dhe të rrugëve sipas trashëgimisë historike e kulturore, do të mund të bëheshin në formën e rrathëve koncentrikë, pra, duke filluar nga emrat më të mëdhenj të historisë e të kulturës, që duhet të jenë në qendër të kryeqytetit, e duke shkuar me emra më pak kumbues drejt periferisë. Ashtu do të mund të afirmohej një kujtesë historike, me një hartë të mirëplanifikuar rrugësh. Një mundësi tjetër do të mund të ishte që të fillohej nga qendra me emrat më kumbues të shtetndërtimit të Kosovës, për të shkuar pastaj me emra të periudhave të mëhershme drejt periferisë.
Natyrisht, këto dhe qasje të ngjashme mund të kombinohen, varësisht nga politikat e atyre që qeverisin, por në çdo rast do të duhej të ishin të menduara edhe si kujtesë historike e si vlera kulturore. Në çdo rast duhet të kihet para sysh se është fjala për kryeqytetin e një shteti të ri dhe të një populli të lashtë. Aq më tepër që është fjala për kryeqytetin e një shteti, i cili e ka problem të madh njohjen ndërkombëtare, për çka kanë ndikim të madh edhe dilemat kulturore, pasi Serbia ka arritur ta paraqesë me sukses Kosovën si “djep të kulturës serbe”, me çka ka fituar të gjitha ato privilegje për Kishën Ortodokse Serbe në Planin e Ahtisarit dhe me çka po e pengon edhe anëtarësimin e Kosovës në UNESKO.
Pra, beteja për Kosovën është edhe një betejë e madhe kulturore, ku kryeqyteti do të mund të kishte ndikimin e vet të ndjeshëm. Propozimet parciale, që po dëgjohen aty-këtu, për një objekt këtu e për një qendër atje, pikërisht e zbulojnë mungesën totale të një projekti të emërtimit të shesheve e të rrugëve, me funksione efikase orientuese, por edhe vlera mirëfilli historike e kulturore. (Një kandidat serioz për kryetar të Prishtinës, e pakta do të duhej ta kishte hartën me emrat që duhet të ndërrohen dhe me emrat që duhet të vihen në vend të tyre, për një mandat të qeverisjes së tij!)
2. Disa nga trotuaret e kryeqytetit tonë janë një horror ditor, sepse vazhdimisht janë të bllokuar nga veturat. Fjala vjen, ana e djathtë e rrugës Eqren Çabej (duke zbritur) dhe trotuari nga NLB drejt Menzës së Studentëve, janë vazhdimisht të bllokuara, prandaj ne këmbësorët detyrohemi të fërkohemi nëpër vetura, ose të bëjmë kundërvajtje duke ecur rrugës, nën rrezikun që të goditemi nga veturat.
Personalisht çdo ditë ndihem i poshtëruar nga kjo torturë që përjetoj, në këto trotuare. Zgjidhje nuk janë kunxhat (megjithëse më mirë ata, se sa kështu si është) po zgjidhje është bashkëpunimi i komunës me policinë, duke shqiptuar dënime në vend për abuzuesit, konfiskimin e veturave që parkohen në këto hapësira publike, të cilat si të atilla u dedikohen vetëm këmbësorëve. Prishtina nuk mund të mbajë atributin e një kryeqyteti të një shteti evropian me këto trotuare të bllokuara nga makinat, si në Kandahar.
3. Policia e lagjeve është e domosdoshme, pasi që pasiguria në lagjet tona është bërë poashtu si një film horror. Para pak ditësh e plaçkiten marketin “Meridian” në godinën tonë, në orën 21, kur në kafenetë përreth me dhjetëra njerëz po shikonin ndeshje futbolli, fare pranë marketit. Kur erdhën policët, filluan të merrnin në pyetje punëtorët e tmerruar të marketit, në vend se të ndiqnin plaçkitësit dhe të intervistonin mysafirët e kafeneve, ku ka mundur të ketë qëndruar ndonjë ndihmës i plaçkitësit. (Po t’u analizoheshin sms-të dhe thirrjet me celular, mbase do të mund t’i bihej në gjurmë plaçkitësit.)
Prandaj, policia e lagjeve do të duhej të ishte aktive për njëzet e katër orë, në çdo lagje. Nuk ka mënyrë tjetër të pengohet vjedhja e banesave, veturave, marketeve, filialave të bankave, etj. Besoj se vetëm qorri nuk e sheh që ka një krim të organizuar në këtë plan në kryeqytetin tonë dhe që policia nuk është fare efikase në këtë plan. Sot për sot joefikasiteti i policisë në parandalimin dhe në zbulimin e këtyre vjedhjeve në kryeqytetin tonë tështë dramatik. Kjo mund të ndryshohej vetëm me një polici të lagjeve, e cila do të bashkëpunonte me komunitetin, me bizneset dhe veçmas me “plakat që rrinë në dritare”, sipas modelit zviceran. Pra, bashkëpunimi me banorët, duke i paguar shërbimet e atyre që e demoncojnë krimin, është çelës i suksesit.
4. Sa u përket shkollave, vërtet po dëgjoj narracione komike nga shumica e kandidatëve. Ende flasin për kilfe, për qumësht, për dollapa, për vizita mjekësore sistematike të fëmijëve. Të gjitha këto janë veprime rutinë të çdo pushteti komunal, e jo programe të veçanta. Bile, ndonjë prej tyre, si kiflet, fjala vjen, duhet të analizohen edhe nga aspekti mjekësor, se a mos ndikojnë në trashjen e fëmijëve! Narracionet që po dëgjojmë si biçim programesh, po e zbulojnë se këta kandidatë nuk kanë pranë vetes ekspertë, që do t’u ndihmonin që të hartojnë projekte për shkollën, në pajtim me kohën në të cilën ne jetojmë.
Debati për arsimin e shkollën e sotme, i kandidatëve për kryetar të Prishtinës, duhet të zhvillohet për teknologjinë e re të mësimit. Fjala vjen, për teknologjinë e mësimit mobil (m-learning) dhe të mësimit në distancë (distance learning.) Mësimi në distancë dhe veçmas mësimi mobil u mundëson nxënësve që të mësojnë edhe kur nuk janë në shkollë, kur janë të sëmurë dhe detyrohen të qëndrojnë në shtëpi, ose edhe kur janë në udhëtime me familje. (Besoj se në shkollat e Prishtinës, në baza ditore, mungojnë nga shkolla me dhjetëra, në mos me qindra nxënës, për arsye shëndetësore ose arsye të tjera. Për këtë formë të mësimi, e cila në shtetet e Bashkimit Evropian tashmë është e avancuar, komuna duhet të sigurojë mbulueshmëri adekuate me internet, të shkollave dhe hapësirave të saj, pajisje adekuate për mësuesit, që të mund të komunikojnë në kohë reale me nxënësit, që nuk janë në klasë. Pra, mësimi mobil dhe E-mësimi, do të duhej të ishin tema të kandidatëve për Prishtinën, e jo kiflet dhe dollapat. Natyrisht, Kuvendi i Kosovës duhet të ndryshojë rrënjësisht ligjet për arsimin, duke i përafruar ligjet me frymën dhe standardet që kanë ligjet në shtetet e BE-së.
Ndërsa, Ministria e Arsimit duhet të ndryshojë me themel programet mësimore dhe librat shkollor, në pajtim me kohën në të cilën jetojmë. Komuna e Prishtinës si kryeqytet, do të mund të ishte partneri më serioz i Kuvendit dhe i qeverisë edhe në këto drejtime. Por, me kusht që ata që zgjidhen, kryetar e asambleistë, të dinë pse janë zgjedhur aty. Por, për ta ditur ata pse janë zgjedhur, ata që i zgjedhin duhet ta dinë saktë pse i kanë zgjedhur.
E kam para sysh se dalja nga ky raport i çrregulluar ndërmjet zgjedhësit dhe të zgjedhurve, ku zgjedhësit i japin përparësi partisë së vet, më shumë se sa interesit të fëmijëve të vet, e bën çdo program të parealizueshëm. Prandaj, edhe e quajta program futurist, një program që në kushte normale do të mund të realizohej plotësisht. (7 tetor 2017)