Nga Parim Olluri
Ndonëse trashëgimtar i Ibrahim Rugovës, gjatë jetës së tij ka lëvizur në drejtim të kundërt me babanë. Nuk është shquar asnjëherë si politikan model, por vetëm si politikan mashtrues. Derisa babai i tij nuk shquhej për udhëheqje të grupeve kriminale dhe bizneseve të dyshimta, Ukën nuk e ka penguar ky fakt. Ai ka arritur që të fitojë një imazh të një njeriu të akuzuar për krim të organizuar, të rrethuar me sekserë e mafiozë të ndryshëm.
Ish-presidentit Ibrahim Rugova para 37 vjetësh, në qershor të vitit 1980, i kishte lindur djali i dytë.
Atëkohë ishte vendosur që ai të trashëgojë emrin e babait të ish-presidentit. Ukë e kishte emrin prindi i Ibrahim Rugovës.
Ai kishte një histori të tij, e cila ishte shpërndarë si legjendë gjatë vitet e 90-a të shekullit të kaluar.
Ishte vrarë nga komunistët jugosllavë, një muaj pas lindjes së presidentit Rugova.
Po atë ditë, përveç babait të Rugovës, Ukës, ishte vrarë edhe babagjyshi Rrustë Rugova, një luftëtar i njohur kundër Serbisë.
Kjo histori tragjike kishte bërë që Rugova të krenohej dhe të fitonte edhe më shumë simpati tek shqiptarët që i udhëhoqi më shumë se një dekadë e gjysmë.
Por, as ai vetë nuk e kishte menduar që djali i tij, të cilit po ia vinte emrin e prindit të vrarë, do të godiste pikërisht në këto dy pika: zbehjen e krenarisë për familjen dhe humbjen e simpatisë që njerëzit e kishin ndaj Rugovës.
Ukë Rugova nuk është përmendur gati asnjëherë për të mirë në publik. Emri i tij ka asociuar gjithmonë me krimin.
Ka qëndruar për një kohë të shkurtër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka treguar se atje kishte shkuar për t’u shkolluar. Në CV-në publike të tij, të publikuar kur ishte deputet, shënon se ka përfunduar studimet për administrim biznesi në Pepperdine University, Los Anxhelos, ShBA.
Por, dyshimet dhe akuzat që rëndojnë mbi të tregojnë se Ukë Rugova gjatë jetës së tij nuk ka administruar biznese të suksesshme, por grupe kriminale të suksesshme.
Biznesi i Ukë Rugovës
Ukë Rugova akuzohet se ka udhëhequr një grup kriminal që ka përfituar nga biznesi i paligjshëm i shitjes së vizave italiane.
Insajderi në serinë e hulumtimeve të emërtuara “Dosja Grande”, ka publikuar tërë dyshimet e akuzat që rëndojnë mbi djalin e ish-presidentit Rugova.
Rugova ka pranuar se është marrë me vizat italiane. E ka përshkruar veten si humanist.
“Kam ndihmuar njerëzit që kanë pasur në nevojë të dalin jashtë vendit”, pati thënë Rugova.
Përpos përfitimeve nga biznesi i paligjshëm i vizave, Ukë Rugova shihet si shumë i rrezikshëm nga autoritetet shtetërore italiane. Vlerësimet e autoriteteve italiane që janë bërë për Rugovën e paraqesin atë si figurë ndërkombëtare e krimit të organizuar, që përfshinë trafikun e armëve, drogës dhe kontrabandimit të mallrave.
Po ashtu, Insajderi ka zbuluar se një kompani private, ku është aksionar Ukë Rugova, ka vepruar përgjatë viteve në kundërshtim me postin që ka mbajtur ai: atë të deputetit të parlamentit të Kosovës. Biznesi i tij – restorant dhe autolarje, i kishte borxh Administratës Tatimore të Kosovës.
Dy mashtrimet e mëdha në emër të Ibrahim Rugovës
Uka nuk ishte shfaqur në publik deri në vitin 2010. Askush nuk e njihte se si dukej. Megjithatë, emri i tij ishte i përfolur në botën e biznesit. Shumë ndërmarrës jo publikisht bënin me gisht kah djali i ish-presidentit Rugova. I frikësoheshin pushtetit të tij, në prapaskenë.
Ishte fundi i vitit 2010 kur Uka do të shfaqej publikisht. Kishte vendosur që të tregonte fytyrën e tij. Dëshironte që përveç kthinave të errëta të biznesit, të kyçej edhe në politikë.
Ishte ankuar se LDK-ja nuk e ka pritur mirë, përkundër faktit se është i biri i themeluesit të saj.
Kishte krijuar subjektin politik “Lista dr. Ibrahim Rugova”.
Mashtrimi politik që kishte bërë atëherë është i ngjashëm me këtë që po e bën sot, ndonëse tash fshihet pas votës së motrës së tij.
Kronologjia e mashtrimit ishte zhvilluar në këta hapa.
Më 10 nëntor të vitit 2010 në emër të ‘Listës dr. Ibrahim Rugova’ kishte nënshkruar koalicion parazgjedhor me AAK-në.
Ukë Rugova e arsyetonte lidhjen e marrëveshjes me AAK-në duke iu referuar bashkëpunimit të babait të tij me Ramush Haradinajn, në vitin 2004.
Tre muaj pasi e arsyetoi këtë veprim duke u thirrur në emrin e babait të vdekur, Ukë Rugova la AAK-në e humbur në zgjedhje. Iu bashkua PDK-së që kishte fituar ato zgjedhje.
Ishte i vetmi kandidat për deputet nga ‘Lista dr. Ibrahim Rugova’ që kishte arritur të fitonte votat e duhura për të hyrë në parlament.
Pazari me PDK-në përfshinte postin e zv/kryeministrit për Bujar Bukoshin dhe të ministrit të Mjedisit për Dardan Gashin.
Një skenar përafërsisht i ngjashëm është duke ndodhur edhe më 2017, gjashtë vjet pas mashtrimit të madh të Ukë Rugovës.
Ramush Haradinaj shkoi në shtëpinë e familjes Rugova. Mori mbështetjen nga ta. Nga aty u plasua lajmi se mbështetja për Haradinajn jepet për shkak se ish-presidenti i ndjerë kishte bashkëpunuar me të në vitin 2004. I referoheshin koalicionit LDK-AAK, kur Rugova kishte pranuar që Haradinaj të bëhet kryeministër.
Por, nuk vonoi shumë dhe Ukë Rugova tregoi se mbështetja nuk ka asnjë lidhje me veprimet e babait të tij. Ai vendosi të flasë edhe me udhëheqësin e ShIK-ut, kundërshtarin më të ashpër të babait të tij.
Të shtunën Ukë Rugova takoi në kafene tre ish-udhëheqësit e UÇK-së, Fatmir Limajn, Ramush Haradinajn e Kadri Veselin.
Asnjëri prej tyre nuk foli për mediet. Foli sekseri Dardan Gashi.
“Në këtë takim u diskutua për ndarjen e posteve qeveritare”, deklaroi Gashi. Kjo tregon se Ukë Rugova bëri veprimin e para gjashtë vjetëve.
Miqtë e Ukë Rugovës – Sekserë e mafiozë të akuzuar për vepra të rënda
Dardan Gashi është gjithmonë afër Ukë Rugovës. Ai ka bërë emër të madh si sekser dhe ka përfituar shumë nga të qenit afër Ukë Rugovës. Është duke u përfolur për post të zv/kryeministrit në Qeverinë e koalicionit PAN.
Nga të qenit sekser në vitin 2011, Gashi kishte arritur që të përfitonte postin e ministrit të Mjedisit. Përveç sekserit Dardan Gashi, afër Ukë Rugovës rri edhe sekseri Astrit Haraqija. Ai është sekseri më i famshëm në Republikën e Kosovës.
Në fakt, shoqëria e Ukë Rugovës nuk ka ndonjë anëtar jo të dyshimtë, ndonjë akademik apo ndonjë ligjërues universitar.
Tërë rrethi i tij janë të dyshuar e akuzuar për përfshirje në krim të organizuar. Vetë Ukë Rugova akuzohet për udhëheqje të një grupi të fuqishëm të krimit të organizuar që shiste viza italiane.
Prokuroria pretendon se Ukë Rugova ka udhëhequr këtë grup i ndihmuar nga Izet Beqiri, një i dyshuar si një prej mafiozëve më të mëdhenj në Itali e Kosovë. Beqiri është i dënuar me 14 vjet burg nga shteti italian për shkak të përfshirjes në trafikun e drogës, edhe në shumë çështje tjera. Ai ka bërë biznes me Ukë Rugovës përgjatë kohës sa kërkohej nga Interpoli, për ta vuajtur dënimin me burg për shkak të veprimeve mafioze.
Pjesë e aktakuzës është edhe Astrit Haraqija, por jo si udhëheqës grupi. Është aty si sekser i Ukës.
Haraqija ishte edhe ministër i Kulturës kur shtetin e drejtonte prindi i Ukë Rugovës, Ibrahimi. Tashmë, kanë kaluar njëmbëdhjetë vjet nga vdekja e ish-presidentit. Të tre fëmijët e tij: Mendimi, Uka e Teuta kanë shijuar postet publike.
Mendimi ka mbajtur për një kohë postin e zv/ministrit të Mjedisit. Teuta është zgjedhur dy herë deputete e Kuvendit të Kosovës. Më i zëshmi nga të tretë është Uka.
Ndonëse trashëgimtar i Ibrahim Rugovës, gjatë jetës së tij ka lëvizur në drejtim të kundërt me babanë. Nuk është shquar asnjëherë si politikan model, por vetëm si politikan mashtrues.
Derisa babai i tij nuk shquhej për udhëheqje të grupeve kriminale dhe bizneseve të dyshimta, Ukën nuk e ka penguar ky fakt.
Ai ka arritur që të fitojë një imazh të një njeriu të akuzuar për krim të organizuar, të rrethuar me sekserë e mafiozë të ndryshëm. /Insajderi.com