Profili i kryeministrit të ri, Dimitriev konsiderohet i ‘besueshëm’ i Gruevskit

E publikuar: 15/01/2016 16:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Emil Dimitriev, është propozuar nga VMRO DPMNE-ja për kryeministër të ri që duhet të udhëheq Qeverinë gjatë 100 ditëve të ardhshme apo deri në zgjedhje. Ai konsiderohet si njeri i besueshëm i Gruevskit. Ai nuk u përmend as në “bombat” e opozitës. Ministri i brendshëm Oliver Spasovski kohë më parë e përmendi Dimitrievin si një prej atyre që në mënyrë joligjore kanë shfrytëzuar sigurim nga MPB.
Dimitriev ka lindur në Probishtip dhe është 38 vjeç. Karrierën e tij e ka ndërtuar para se gjithash në politikë. Në postin e kryeministrit, Dimitriev pritet të vijë nga funksioni sekretarë i përgjithshëm i VMRO-DPMNE0-së, detyrë që e ushtron prej vitit 2013, ndërsa njëkohësisht është edhe deputet aktual në Kuvend.
Ndryshe Dimitriev prej vitit 2008 është zv/ministër i mbrojtjes. Pas zgjedhjeve të vitit 2014, ai përmendej si ministër i mundshëm, por megjithatë në këtë funksion u emërua Zoran Jolevski. Nga VMRO-DPMNE sqaruan se Dimitriev është i nevojshëm për partinë si sekretar i përgjithshëm, post në të cilin u emërua një vit më herët, ndërsa ndryshimet e shpeshta në këtë funksion do të ishin të dëmshme për partinë.
Në komisionin kundër korrupsionit për Emil Dimitriev ka dy formular për deklarim të pasurisë. Njëri është dorëzuar si zv/ministër i mbrojtjes ndërsa tjetri si deputet. Të dy formularët janë të ndryshëm. Si zv/ministër ka pasuri prej 13 mijë euro, ndërsa si deputet 59 mijë. Në dy formularët si pronë të prindërve të tij përmend shtëpinë dhe tokën bujqësore, por jo edhe vlerën e tyre.
Dy formularët dallojnë edhe për atë se si deputet Dimitriev përmend se posedon armë, gjë që nuk përmendet në formularin si zv/ministër i mbrojtjes. Në formularin si deputet përmendet se posedon tre lloje të armëve. Pistoletë gjysmë automatike Remington prej 2600 euro, më pas karabin mauzer prej 1000 euro dhe bokerica bajkl prej 350 euro. Ndërkaq Emil Dimitriev është edhe gjahtar.
Mediumet për të shkruanin se si zv/ministër i mbrojtjes dha mbështetje për ligjin e “Branitelave”, që për shkak të kundërshtimit të DBI-së i njëjti u bllokua në procedura Parlamentare. Qëndrimi i tij i atëhershëm ishte se ligji avancon të gjitha kategoritë e personave të uniformuar dhe ata civil që kryejnë shërbim në armatë. Mediumet shkruanin edhe se Dimitriev kërkoi zbatimin e procedurës disiplinore për përgjegjësi për ngjarjen në Sllupçan kur oficerë të uniformuar të ARM-së së bashku me ministrin Fatmir Besimi dhe përfaqësues tjerë qeveritar nga BDI u përkulën para shtatores së dëshmorëve të UÇK-së në 11 vjetorin e firmosjes së Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Kjo asnjëherë nuk ndodhi./alsat-m/