Prodhuesit vendorë i gëzohen lirimit nga tatimet, dogana e akciza

E publikuar: 30/09/2017 20:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bedri Kasumi ka disa vjet që ka bërë kërkesë tek institucionet për të krijuar lehtësi në importim të pajisjeve dhe lëndës së parë.

Thotë se nuk po kërkon asgjë më shumë pos që të jetë i barabartë me prodhuesit e vendeve të rajonit dhe më gjerë që me prodhimet e tyre po vazhdojnë t’i bëjnë konkurrencë, raporton KTV.

Ai thotë se po të ishin bërë lirimet më herët, situata e prodhuesve vendës do të ishte edhe më e mirë.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë bërë të ditur se masat e ndërmarra do të konkretizohen gjatë tetorit, kurse do të hyjnë në fuqi nga janari i vitit që vjen.

Sipas tyre, masat fiskale të ndërmarra janë më shumë në përmbajtje në krahasim me ato që kishte pakoja e dytë fiskale.

Lulzim Rafuna, zyrtar në kabinetin e ministrit të Financave, Bedri Hamza, ka pranuar se ky hap do të ketë kosto buxhetore.

Që nga nisja e rritjes së numrit të kompanive prodhuese, shërbyese e përpunuese, është kërkuar nga institucionet që t’u ndihmohet duke bërë lirime të ndryshme me qëllim të uljes së kostos së prodhimit që do t’u mundësonte ruajtjen e tregut nga importi i madh i prodhimeve të ndryshme.

Mirëpo këto kërkesa nisën të realizohen vetëm këto vitet e fundit, kur tashmë tregu është i stërmbushur me prodhime të importit, duke bërë që efektet e këtyre masave të ndihen te bizneset më me shumë vonesë.