Procedura e punësimit në Gjermani pas 1 janarit 2016, ja ç’duhet të bëni (Foto)

E publikuar: 02/12/2015 00:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvëndësministrja shqiptare e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Gentjana Mara – Sula shpjegon për DW procedurat sipas ligjit të ri të miratuar së fundi nga autoritetet gjermane për emigrim të ligjshëm nga Ballkani.

Së fundmi ka një ndryshim ligjor nga autoritetet gjermane për nxitjen e punësimit me dokumente të rregullta të të interesuarve nga vendet e Ballkanit Perendimor në Gjermani. Sa favorizuese është kjo për qytetarët shqiptarë, që kërkojnë të punësohen në Gjermani?
Gentjana Mara – Sula: Më 24 tetor 2015 është miratuar ligji i ri për emigrimin e ligjshëm nga vendet e Ballkanit në Gjermani, i cili do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2016. Me këtë ligj janë favorizuar shtetasit e vendeve Ballkanike duke modifikuar disa kritere që kanë rezultuar penguese deri tani, siç kanë qenë kualifikimi i një niveli të lartë të aplikuesve dhe sigurimi i një kontrate me pagesë mujore, jo më pak se 4500 euro në muaj. Pra, prej janarit 2016, në bazë të këtij ligji të ri, çdo shtetas shqiptar që siguron një kontratë të rregullt punësimi, apo formimi profesional në Gjermani, ka të drejtë të aplikojë për një vizë pune pranë autoriteteve gjermane.

204088

Duke e konkretizuar çështjen, nëse një shtetas shqiptar është i interesuar për t’u punësuar në Gjermani, çfarë kushtesh duhet të plotësojë dhe çfarë procedurash duhet të ndjekë?

Për të qenë dhe unë konkrete, sipas këtij ligji, shtetasit shqiptarë mund të marrin një vizë punësimi në Gjermani, nëse ndjekin këto kushte dhe ndjekin këto hapa: 1. Kanë një kontratë formimi profesional apo punësimi për një vend të caktuar pune në Gjermani; 2. Punëdhënësi i tij i ardhshëm interesohet pranë Zyrës së Punës në Gjermani për të marrë lejen e punës për këtë shtetas. Këtu duhet të konstatohet se, së pari, për këtë vend të lirë pune nuk është i përshtatshëm askush nga aplikantët nga Gjermania ose BE-ja; së dyti, kushtet e punës janë të njëjta me ato të shtetasve gjermanë dhe paga gjithashtu do të jetë aq sa paguhet një gjerman për të njëjtën punë. Vetëm pasi punëdhënësi të ketë sqaruar këto çështje me autoritetet në Gjermani, shtetasi shqiptar duhet të marrë dokumentet përkatëse – plotësuar si e shpjegova më sipër – mund të aplikojë për vizë pune në Ambasadën Gjermane në Tiranë. Njohja e gjuhës gjermane e certifikuar është një nga kërkesat e domosdoshme për të emigruar në Gjermani. Kjo është e rëndësishme për të lehtësuar integrimin dhe për të mundësuar një formim a punësim sa më produktiv të të punësuarve.

Atëherë, nëse unë jam një person i interesuar, ku duhet të drejtohem?

Ka disa kanale komunikimi dhe informimi të përshtatshme, p.sh. në kërkimin për një vend pune, i interesuari mund të drejtohet për tek Zyra Qendrore për Ndërmjetësimin me Jashtë, ZAV, me kontakt telefonik hotline: 0049 228 713-1313, ose te Bursa e Punës Online, pranë Zyrës Federale të Punës, përmes adresës virtuale: www.jobboerse.arbeitsagentur.de. Gjithashtu informacione të tjera mund të gjenden në faqen zyrtare të Ministrisë Federale për Punën dhe Çështjet Sociale: http://www.bmas.de/DE/Presse/Meldungen/2015/arbeiten-in-deutschland.

A përfitojnë nga kjo skemë ata qytetarë, të cilët janë evidentuar, se kanë kërkuar azil në Gjermani?

Detajet e zbatimit të ligjit në fjalë natyrisht do të publikohen nga autoritetet gjermane, por nga informacionet e deritanishme na rezulton që nga janari i vitit 2016 mund të përfitojnë nga ky ligj, së pari, shtetasit të cilët dëshirojnë të emigrojnë për punësim në Gjermani; së dyti, ata që kanë aplikuar për azil në Gjermani, por janë kthyer vullnetarisht nga Gjermania; së treti, ata që kanë aplikuar për azil dhe kanë tërhequr aplikimin apo janë kthyer nga Gjermania përpara datës 24 tetor 2015. Pra, nuk përfitojnë shtetasit shqiptarë që aplikojnë për azil në Gjermani pas datës 24 tetor 2015. Theksoj se nga shtetasit shqiptarë të interesuar për të ndjekur këtë procedurë autoritetet gjermane presin bashkëpunim maksimal dhe ndershmëri të plotë në lidhje me informacionet e tyre personale dhe me qëndrimet e tyre në Gjermani apo kërkesat për azil.

A mund ta ilustrojmë me shembuj, zonja Sula?

Ja për shembull aplikantët që kanë qenë më parë në Gjermani për formim profesional apo punësim, apo kanë bërë kërkesë për azil në Gjermani, duhet të informojnë për këtë punëdhënësin e tyre të ardhshëm, sepse ky i fundit duhet të marrë një miratim paraprak prej Zyrës së të Huajve. Ata nuk duhet të fshehin asnjë qëndrim personal në Gjermani, pasi është diçka që zbulohet gjatë aplikimit për vizë dhe rastet e fshehjes mund të çojnë në refuzimin e vizës. Tashmë është e qartë për të gjithë që shanset për azilkërkuesit nga Ballkani, pra dhe nga Shqipëria janë pothuajse zero dhe nëse kërkesa refuzohet, largimi i tyre do të shoqërohet edhe me masën e ndalimit të hyrjes. Në këtë mënyrë ata i humbasin mundësitë për të përfituar nga ligji i punësimit të qytetarëve të Ballkanit. Nga ana tjetër, ka disa iniciativa të cilat tregojnë se emigrimi i rregullt në Gjermani është i mundshëm. Mund të përmend këtu programin që po zbaton DEKRA – një kompani private gjermane për formimin profesional dhe punësimin. Kjo kompani ka përzgjedhur fillimisht rreth 200 infermierë për të punuar në Gjermani, dhe ky numër pritet të rritet deri në 500 infermierë në vitin e ardhshëm.

Çfarë projektesh a programesh konkrete bashkëpunimi ka ndërmjet Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë dhe homologëve gjermanë?

Në këtë kuadër po bashkëpunohet me autoritetet gjermane, për orientimin dhe këshillimin e shtetasve të kthyer drejt një ri-sistemimi të shpejtë në vendbanimet e tyre dhe punësimin në Shqipëri dhe të të gjithë shtetasve te interesuar për një punësim të rregullt në Gjermani. Nje projekt teknik hartuar bashkë me Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim tekniko-ekonomik, GIZ, parashikon asistencë për Shërbimin Kombëtar të Punësimit në disa zona të caktuara të vendit. Shpresojmë për financim nga autoritetet qendrore gjermane. Në planin më të gjerë, bashkëpunimi me homologët gjermanë është forcuar edhe më shumë. Ky bashkëpunim po jep frytet e veta me reformën tonë të thellë në arsimin dhe formimin profesional, ri-organizimin e zyrave të punës dhe shërbimeve të tyre, përafrimin i sistemeve të mbrojtjes shoqërore e shëndetësore mes dy vendeve, ngritjen së shpejti të një Dhome të Zejeve etj. Këto janë bërë të mundura nga një bashkëpunim institucional me institucione përkatese si Agjencia e Punës e Nurenbergut, Agjencia e Arsimit dhe Formimit Profesional në Hamburg, Dhoma e Zejeve e Koblenzit, GIZ –Tiranë, si dhe vetë Ambasada Gjermane, e cila ka qenë në një rol shumë aktiv dhe shumë pranë Ministrisë sonë. Kemi fatin të përfitojme nga asistenca më e lartë teknike në fushat e mësiperme dhe një ndihmë bujare dhe në material, ku vlen të përmendet në veçanti mes të tjerave Shkolla Profesionale e Kamzës, që po evoluon në një koncept modern të një qendre polifuksionale arsimi të mesëm dhe të lartë profesional dhe ofrimi kursesh për të rritur.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)