Shpeshherë i keni dëgjuar ata që kanë probleme me infertilitet të ankohen se kanë shpenzua shuma marramendëse të parave, porse nuk kanë arritur sukses, respektivisht nuk e kanë patur fatin të gëzohen me një fëmijë në prehërin e tyre.
Dilema kryesore dhe më e ndieshme te procedurat e fertilizimit in vitro apo IVF, është fakti që çiftet të paguajnë edhe kur nuk kanë rezultat. Problemi bëhet edhe më i rëndë kur shteti nuk ua paguan pacientëve të vet këto tretmane mjekësore, duke i konsideruar procedurat e fertilizimit të asistuar apo IVF-in si një luks për qytetarët.
Por, a është dëshira për të pasur fëmijë vetëm një luks për qytetarët apo një nevojë e tyre fundamentale, këtë më së miri e dijnë vetëm ata që vuajnë nga ky problem.
Pra, shtrohet pyetja se si do të duhej të vepronin klinikat e ndryshme në rastet kur sigurimet shëndetësore nuk ua mbulojnë shpenzimet këtyre pacientëve.
E logjikshme do të ishte që të paguajnë vetëm ata që kanë sukses, ndoshta edhe për një çmim më të lartë, por besoj se të tillët kurrë nuk do të kursenin në plotësimin e kësaj dëshire jetike për arritjen e lumturisë personale dhe familjare.
Kurse ata të cilët nuk kanë sukses me procedurat e IVF-it do duhej të paguanin një çmim minimal për shpenzimet e klinikës apo të mos paguanin fare, përveç terapisë së vet.
Normalisht që në shumicën e rasteve spitalet për IVF nuk janë fajtore për mossuksesin e procedurave të tilla, meqë, shkenca deri më sot nuk ka arritur më tepër, edhe pse këto metoda tashmë kryhen qe 40 vite anekënd botës.
Por, as pacientët që e kanë këtë problem nuk janë banka që të eksploatohen.
Dhe, duke e ditur se pacientët që nuk arrijnë të bëhen prindër ndonjëherë vuajnë më shumë se sa të sëmurët me kancer, atëherë, vetëdija e qeverive të ndryshme të botës do duhej alarmuar ashtu që procedurat e fertilizimit të asistuar (IVF) të mbuloheshin gjithkund nga fondet për sigurime shëndetësore, ashtu që infertiliteti të trajtohet si një sëmundje serioze e jo si një luks për pacienta.
Por, ku qëndron Kosova në këtë aspekt? Fatkeqësisht, ky shtet i ri ngecë edhe këtu sikurse në çdo sferë tjetër të jetës, e madje është shumë prapa edhe nga vendet e regjionit.
Pra, përderisa shumica e shteteve të Evropës por edhe të atyre fqinje, ua paguajnë pacientëve të tillë edhe deri në gjashtë herë apo pa limit procedurat e IVF-it, Kosova nuk ua kompenzon asnjëherë, edhe pse qytetarët e saj llogariten si ndër më të varfërit e kontinentit.
Dhe, megjithëse një familje e lumtur është pasqyrë e një shteti funksional, në Kosovë madje ekziston një mungesë totale e senzibilizimit të shtetit lidhur me natalitetin si dhe me këtë të drejtë fundamentale të qytetarëve për t’u bërë prindër, problem ky mjaft serioz i shoqërisë i cili në asnjë mënyrë nuk do duhej neglizhuar nga institucionet.
Dr Gjina Zeqiri MSc, PhD Gjinekologe – obstetre Specialiste për fertilitet dhe IVF