Privatizimi nuk la asgjë nga ekonomia e dikurshme

E publikuar: 05/03/2020 18:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deri në vitet e 90-ta, Gjilani kishte një ekonomi relativisht stabile. Ajo përbëhej nga Industria e tekstilit, Industria e duhanit, Industria e baterive – IBGJ, Fabrika e radiatorëve dhe stabilimenteve tjera ngrohëse, Fabrika e prodhimeve për xehetari dhe konstruksioneve të çelikta, Ndërmarrja hidro-ndërtimore dhe industriale “Morava e Binçës”, Thertorja, Industria e miellit dhe e bukës e të tjera.

Shfrytëzimi jo i drejtë dhe mirëmbajtja jo e duhur e këtyre kapaciteteve, gjatë periudhës së administrimit të dhunshëm serb në Kosovë, ka bërë që riaktivizimi të jetë i vështirë pas luftës.

Megjithatë, në shumicën e tyre u bënë përpjekje për ta rifilluar prodhimtarinë, deri në privatizim, por suksesi nuk qe i njëjtë, shkruan mediafokus.info.

Industria e tekstilit Integj, një gjigand i llojit të vetë, ka qenë ndër prodhuesit më të njohur të perdeve e tepihëve në Ballkan dhe më gjerë.

Në ditët më të mira, punësonte mbi 2500 punëtorë.

Ka prodhuar tepihë tafting, klasik, të dorës, perde, trikotazh.

Ishte e vendosur në rrugën Gjilan-Preshevë, ku pas privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, janë hapur qendra të mëdha tregtare.

Pas luftës, Integj u aktivizua pjesërisht, me rreth 200 punëtorë, të cilët nuk mund të realizonin të ardhura mujore më shumë se mesatarja 103 euro.

Nuk u arrit të shfrytëzohen më tepër se 5 për qind kapacitet prodhuese.

Kapacitetet e instaluara ndërkaq ishin këto: tepihët tafting të thurur me dorë 4.000.000 (m²/vit), trikotazh për fëmijë dhe të rritur – 400.000 copë/vit si dhe perde të llojeve dhe modeleve të ndryshme – 15.000.000 (m²/vit).

Është themeluar në vitin 1958, ndërsa viti i fundit i modernizimit ka qenë 1985.

Lënda e parë kryesisht sigurohej nga importi-Turqia, ndërsa prodhimet e gatshme plasoheshin në tregun kosovar dhe jashtë./mediafokus.info