Pritje të gjata janë krijuar në pikëkalimin kufitar në Merdare.
Një qytetar që është duke pritur për të kaluar kufirin, ka thënë për portalin Koha.net se kolona e veturave është e gjatë dy kilometra dhe se ka pritur për 1 orë për të lëvizur rreth 100 metra.
Daut Hoxha nga Policia e Kosovës ka thënë për portalin Koha.net se si rezultat i fluksit të madh të automjeteve nga Serbia në Kosovë është krijuar kolona dhe ka pritje rreth 2.5 orë.
“Ndërsa në dalje të Kosovës për në Serbi në këtë pikë pritjet janë rreth gjysmë ore. Policia e Kosovës sa i përket pjesës së saj, po punon me personel aktiv dhe procedura të shpejtuara për të dy drejtimet, derisa pritjet dhe kolonat janë evidente dhe varen edhe nga procedurat që realizohen nga zyrtarët nga pjesa tjetër e kufirit”, ka thënë Hoxha për portalin Koha.net.
Policia e Kosovës ka bërë thirrje që të përdoren edhe pikat tjera kufitare me Serbinë me qëllim që fluksi dhe ngarkesa të mos përqendrohet vetëm në pikën kufitare në Merdare.

















