“Prishtina Open Data” kthen besimin e qytetarëve tek institucionet publike përmes transparencës online

E publikuar: 27/09/2017 14:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komuna e Prishtinës prezantoi ditën e sotme platformën e saj të transparencës, e para e llojit të saj për një Komunë në Kosovë e quajtur “Prishtina Open Data.”

Të pranishëm gjatë prezantimit ishin Kryetari i Komunës Shpend Ahmeti dhe Nën-Kryetari Muhedin Nushi të cilët theksuan se qëllimi i një platforme të tillë me transparencë radikale është kthimi i besimit të qytetarëve tek institucionet publike.

Platforma “Prishtina Open Data” mund të aksesohet nga çdo moment përmes ueb sajtit www.opendata.prishtinaonline.com dhe vjen si pjesë e një vizioni për transparencë dhe qasje më të lehtë në shërbimet komunale për Prishtinën.

Përmes kësaj platforme bëhet pasqyrimi i të gjitha informacioneve të mbledhura nga drejtoritë komunale me qëllim që këto shënime të përdoren më tutje në funksion të transparencës së plotë në komunë si dhe në funksion të zhvillimit lokal. Janë plot 130 dokumente aktualisht të disponueshme.

“Me ndihmën e UNDP kemi punuar në platformën e ‘Open Data’, me ç’rast të gjitha informatat që i kërkojnë qytetarët t’i kenë lehtë. Unë iu bëjë thirrje edhe të tjerëve që të aplikojnë këtë sistem. Nuk është një punë që kushton shumë,” shprehej z. Ahmeti.

Nën kryetar Muhedin Nushi tha se “Eksperiencën e kemi marrë nga qyteti i Barcelonës prej nga edhe na ka ardhur ideja të ndërtojmë një platformë kaq llogaridhënëse.”

Informacioni është klasifikuar në 14 kategori, duke përfshirë edhe punën e kryetarit të Komunës së Prishtinës.

Kategoritë e informacionit:

  • Qyteti
  • Kryetari
  • Administrata
  • Arsimi
  • Urbanizmi
  • Shëndetësia dhe Mirëqenia Sociale
  • Ekonomia
  • Bujqësia
  • Kultura
  • Sporti
  • Prona
  • Investimet
  • Infrastrukturore
  • Prokurimi
  • Mjedisi

E ndërtuar mbi tre gjuhë – shqip, serbisht dhe anglisht – platforma do të jetë lehtësisht e përdorshme nga të gjithë vizitorët.

Platforma përbëhet nga tre seksione kryesore: Buxheti, Seti i të Dhënave dhe Drejtoritë.

Në seksionin e parë ka informacion për të Hyrat, Shpenzimet, Buxhetin dhe Krahasimet mes të hyrave dhe shpenzimeve nga Komuna.

Seti i të dhënave është pjesa kryesore e Portalit, ku përdoruesit mund ti gjejnë të gjitha informacionet e hapura nga Komuna e Prishtinës në formate të ripërdorura

Të gjitha burimet në katalogun e seteve të të dhënave mund të shkarkohen, në disa raste mund të parashihen dhe gjithashtu të qasen nëpërmjet API-ve.

Në seksionin e drejtorive informacion klasifikohet në 14 kategoritë e lartpërmendura të cilat vazhdimisht do të përditësohen me setet të dhënash.

Platforma Prishtina Open Data është zhvilluar nga një përzierje e CKAN 2.7.0 dhe OpenSpending në Ubuntu me Docker. CKAN është platforma kryesore e të dhënave me burim të hapur në botë.

Ky projekt mbështetet nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, Ambasada Daneze dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë.

Shërbimet inovative të Komunës së Prishtinës nuk janë diçka e re jo vetëm për qytetarët e saj por edhe publikun. Në Edicionin e Katërt të garës mbarëkombëtare Albanian ICT Awards, Komuna e Prishtinës fitoi çmimin ICT Shërbimi Publik i Vitit me projektin e-Kiosku. /PCWorld Albanian