Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk ka arritur ta kompletojë kabinetin e tij qeverisës, as pas afro një muaj e gjysmë që kur Komisioni Qendror Zgjedhor ka certifikuar zgjedhjet e 19 nëntorit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ai deri tani ka emëruar vetëm nëntë drejtorë të kabinetit të tij, shefen e kabinetit dhe nënkryetarin nga partia e tij e koalicionit më AKR-në, Selim Pacolli. Ndërsa, i duhet të emërojë edhe katër drejtorë të tjerë deri në kompletimin e kabinetit.
Por zyrtarë të Komunës të Prishtinës kanë thënë se emërimi i drejtorëve të Komunës është kompetencë direkte e kryetarit, dhe se institucioni nuk ka afate të përcaktuara ligjore për emërimin e tyre.
Adonis Tahiri, zyrtar për media në Komunën e Prishtinës, ka thënë se pjesa më e madhe e drejtorëve veç janë emëruar, dhe vendimet për këto emërime janë publike në uebfaqen e Komunës së Prishtinës./koha.net/