Prishja në një gyp lë pa ujë Lipjanin

E publikuar: 20/02/2018 22:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lipjani dhe disa fshatra përreth gjatë së martës janë përballur me mungesë të ujit të pijshëm që furnizohen nga kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.
Banorët janë ankuar se kjo kompani nuk ka paralajmëruar për ndërprerje të ujit të pijshëm, raporton Koha Ditore.

Albert Berisha, banor nga Lipjani, ka thënë se kompania e ujësjellësit shpeshherë po tregohet e papërgjegjshme ndaj konsumatorëve derisa ndërprerjet e ujit të pijshëm po paraqiten mjaftë shpesh.

“Kjo kompani gjatë sezonit veror ka pasur telashe të tilla me furnizim duke u arsyetuar se ka mungesë të ujit, ndërkaq në sezonin dimëror nuk e di cila është arsyeja e ndërprerjes. Kemi kërkuar sqarime se gjatë së martës janë paraqitur telashe të tilla, mirëpo nuk kemi marrë përgjigje. Kjo kompani është e obliguar ta bën ndonjë njoftim për ndërprerje të tilla të ujit të pijshëm sepse në këtë mënyrë po vështirësohet edhe jetesa e banorëve”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër Elmi Bublica menaxher i KUR “Prishtina” në Lipjan ka thënë se një kompani private e ka shkaktuar një defekt te gypi te ish-fabrika e letrës dhe nuk po e rregullojnë defektin e tyre.

“Katet më të larta nuk kanë ujë ndërsa deri në katin e tretë të ndërtesave besoj se ka ujë. Kjo kompani e cila e ka krijuar këtë defekt nuk po e riparon atë. Ta shohim nesër çfarë zgjidhje do të bëjmë”, ka thënë Bublica./GazetaExpress/