Drejtuesit e spektaklit, kishin menduar që, krahas këngëtarëve profesionistë, të vendosnin edhe personazhe nga fusha të tjera të artit apo biznesit, të njohur për publikun, që e kanë pasion këngën dhe duan ta sfidojnë veten edhe para publikut. Por Anxhela dhe sipërmarrësja e njohur Ori Kuçi, si fillim, dolën jashtë formulës.
Dy konkurrentet e “C’est la vie”, edhe pse prishën formulën sepse nuk krijuan çift, u pëlqyen shumë për publikun, madje javën e fundit me këngën “E dehur jam” morën edhe çmimin e parë. Të ftuara në “Rudina” pasditen e sotme, Anxhela dhe Ori rrëfyen emocionet që i kanë përfshirë gjatë këtyre javëve të para dhe, mbi të gjitha, edhe për pritjen e jashtëzakonshme të publikut. Pasi fituan çmimin e parë të dielën e kaluar, Anxhela dhe Ori ishin shumë të lumtura që e gjithë juria votoi unanim performancën e tyre. Anxhela, si e mësuar me skenën dhe me emocionet e saj, natyrisht e kishte më të thjeshtë për të menaxhuar situatën, megjithatë edhe ajo i gëzohet suksesit në këtë eksperiencë të re për të.
Ndërsa Ori Kuçi, si e rikthyer në muzikë pas shumë vitesh, ka filluar të ndjejë një lloj nostalgjie të pazakontë. Vlerësimin e jurisë, ajo e përjetoi me emocion dhe, siç tregon për “Rudina”, më shumë të mezipritur kishte vlerësimin e Aleksandër Lalos: “Në fakt, e gjithë vëmendja ime ishte e përqendruar te profesor Lalo. Gëzoj respekt shumë të madh për të si kompozitor, ndaj e kisha me shumë merak. Por kur ai nxori ipad-in dhe Marina tha emrin tonë, ishte shumë emocion”, – tregon Ori.
Gjatë javëve të ardhshme, dy vajzat kanë akoma shumë surpriza që do t’i zbulojnë çdo të diel, por për momentin po shijojnë edhe për disa ditë suksesin e vendit të parë./Revista Class/

















