Prindërit shqetësohen sepse ende nuk janë dezinfektuar çerdhet publike të Prishtinës (Video)

E publikuar: 24/09/2016 13:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

 

 

Zakonisht, gjatë pushimit veror bëhet dezinfektimi i institucioneve parashkollore. Por, këtë verë, një gjë e tillë nuk u bë në disa çerdhe në kryeqytet, përfshirë edhe atë “Gëzimi Ynë”.

Kjo i ka shqetësuar prindërit, të cilët janë brengosur për shëndetin e fëmijëve të tyre, për shkak të rrezikut të paraqitjes së ndonjë sëmundjeje, si pasojë e mosdezinfektimit të objektit, raporton 038 i KTV-së.

Ndërkohë, Kohavisioni ka mësuar se lyerja e këtij objekti nuk është bërë qe 3 vjet.

Në komunë thonë se kanë një kontratë që është duke u zbatuar, por se intervenimit në këtë institucion parashkollor ende nuk i ka ardhur radha.”Sa i përket dezinfektimit dhe gëlqerosjes së asaj çerdheje, aktualisht kompania përkatëse është duke bërë gëlqerosje në disa shkolla dhe çerdhe të tjera në bazë të prioriteteve, në momentin që i vjen radha kësaj do të intervenohet edhe aty. Do të thotë, kontrata është në menaxhim e sipër dhe besoj që shumë shpejt do të realizohet edhe në këtë çerdhe. Nuk mund të flas me afate kohore, sepse varet nga punimet që zhvillohen nëpër shkollat tjera, derisa të arrijnë te kjo çerdhe”, ka thënë Adonis Tahiri, zyrtar për informim në Komunën e Prishtinës.

Por, ky institucion parashkollor nuk është i vetmi në Komunën e Prishtinës, që nuk është dezinfektuar e lyer, gjatë dy javëve të pushimit veror.

Në fillim të muajit gusht, Kohavisioni pati raportuar për mosdezinfektimin e kopshtit “Xixëllonjat” në lagjen Pejton, por Komuna e Prishtinës pati intervenuar pas raportimit të televizionit. Ndryshe, prapa kamerës, prindërit kanë shprehur shqetësime edhe për sigurinë, pasi sipas tyre, në çerdhe mund të futet kushdo.