Prindërit ankohen, s’po munden të aplikojnë për libra për fëmijët nën 6 vjet

E publikuar: 25/08/2023 23:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Disa prindër po kanë probleme në aplikimin për subvencionimin e librave shkollor për fëmijët e tyre. Kjo për shkak se platforma e-Kosova nuk po lejon aplikimin për fëmijët që janë nën moshën 6-vjeçare. Pas kësaj shumë prindër në rrjetet sociale i kanë shfaqur pakënaqësitë.

Një lexues i Gazetës ka thënë për Express se fëmija i tij i mbush me 18 shtator, 6 vjet dhe kësisoj tani nuk po mundet që të aplikojë për të përfituar nga subvencionimi i librave.

Ky nuk është rasti i vetëm, kur një fëmijë nën moshën 6 vjeçare nuk ka mundur, që të aplikojë për subvencionim të librave.

Sipas një prindi, vajza e saj akoma nuk i ka mbushur 6 vjet, kusht ky i cili është i domosdoshëm për aplikim në mënyrë që të ketë rimburësim për tekstet shkollore.

Në njoftimin e platformën e-Kosova, lexueses në fjalë i është thënë se “mosha e fëmijës duhet të mes 6 dhe 11 vjet. Sipas të dhënave të pranuara nga zyra e Gjendjes Civile, mosha e fëmijës për të cilin jeni duke aplikuar nuk e plotëson këtë kusht”.

Ndërsa, ajo ka bërë të ditur se vajza e saj i mbush 6 vjet më 30 shtator, një muaj pasi mësimi pritet të fillojë, duke i shkaktuar kështu telashe për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore.

Kujtojmë se MAShTI ka bërë të ditur se sot deri në ora 19:00 për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore kanë aplikuar afro 12 mijë prindër apo kujdestarë ligjorë./Express