Opinioni publik në mbarë vendin është tronditur mbrëmjen e djeshme, nga atentati me 3 viktima në Shkodër.
Çfarë e bën dhe me të rëndë ngjarjen është se një nga këto viktima ishte vetëm një kalimtare e rastit, e gjetur bashkë me bashkëshortin e saj në vendin dhe momentin e gabuar.
Flutura dhe Bashkim Basha, prindër të tre fëmijëve, po ktheheshin në shtëpinë e tyre, kur motori i tyre u godit nga automjeti tip “Mercedes-Benz” me targa kroate, pasi makina u qëllua me breshëri nga një “Range Rover” në lëvizje.
Në makinën e viktimave shofer ishte Hamza Lici dhe pasagjer Arlind Bushati. Lici ka humbur kontrollin e makinës duke marrë para dhe motorin në të cilin ndodhej çifti Basha. Flutura Basha gjeti vdekjen në vendin e ngjarjes, ndërsa bashkëshorti i saj po lufton për jetën në spital.