Princi Ali: Kriza në FIFA duhet të ndalet

E publikuar: 27/05/2015 20:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trazirat që kanë përfshirë nivelet më të larta drejtuese të FIFA-s nuk mund të liheshin pa u komentuar nga njeriu që pretendon të marrë drejtimin e saj. Princi Ali Bin Al Hussein, kandidati i vetëm në garën me Sepp Blatter, tha se me skandalin e fundit të korrupsionit, FIFA nuk mund të qëndrojë më nën kaosin që vjen nga regjimi i zviceranit.

“FIFA-s i duhet një lidership që udhëheq, orienton dhe mbron federatat. I duhet një lidership që pranon përgjegjësinë për veprimet që bën dhe që nuk e delegon fajin diku tjetër. Nuk mund ta pranojmë këtë krizë që ka përfshirë FIFA-n. Eshtë një krizë që ka nisur prej kohësh dhe që nuk ka lidhje vetëm me ngjarjet e fundit”.

Pavarësisht situatës kaotike nga arrestimi i disa zyrtarëve të lartë të FIFA-s, të cilët akuzohen për korrupsion, qeveria botërore e futbollit ka deklaruar se zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen sipas planit. Në garë kanë mbetur Princi Ali dhe Blatter, pas tërheqjes së Figos dhe Van Praag./supersport.al/