Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralin Ozkan Ultutas.
Gjendja e sigurisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit ishte temë kryesore e diskutimit.
Kryeministri Albin Kurti tha se nevojitet një hetim ndërkombëtar në Serbi mbi përgatitjet, furnizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi.
Po ashtu lideri i ekzekutivit tha se forcat shtesë të KFOR-it duhet të koncentrohen në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kryeministri e mirëpriti shtimin e numrit të trupave të KFOR-it, në përgjigje të sulmit terrorist nga ana e Serbisë në Kosovë, duke theksuar që kjo prezencë e shtuar duhet të koncentrohet në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, prej nga edhe ka hyrë armatimi i Serbisë dhe nga vjen kërcënimi për Kosovën.”,njofton Zyra e Kryeministrit.
Ai ka shtuar se ruajtja e e kufirit nënkupton po ashtu mbylljen e rrugëve ilegale, prandaj edhe është i domosdoshëm bashkëpunimi më i madh me Policinë e Kosovës.
“Kryeministri Kurti po ashtu theksoi nevojën që në veri të vendit të ofrohen shërbime të rregullta për qytetarët nga institucionet e Kosovës, prandaj duhet të garantohet liria e lëvizjes”, citohet të ketë thënë kryeministri.